Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nesër do t’i dërgojë gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë këshilltari për media, Bekim Kupina. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe nuk lejon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re.
Këtë masë që mbetet në fuqi deri më 30 shtator, gjykata e vendosi edhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Kupina nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që presidentja do t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese, por shtoi:
Qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në nenin 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për të respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cënuar të drejtat e të tjerëve.
Ankesa e Listës Serbe, partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi të ndarë në votim kandidatët për nënkryetarë të parlamentit nga komunitetet pakicë joserbe e serbe.
Emilja Rexhepi nga joserbët u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Lista Serbe, që në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli të propozonte vetëm Sllavko Simiçin, i cili dështoi të merrte 61 votat e nevojshme pas tri raundeve të lejuara të votimit.
Kur nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiç nuk mori votat e nevojshme.
Basha e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë. Në fillim të këtij muaji, Presidenca tha se ekipi ligjor i presidentes po bënte një analizë lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa Osmani u shpreh se në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit do të vepronte “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.