Prishtina është renditur ndër qytetet me cilësinë më të mirë të ajrit në botë, sipas të dhënave më të fundit nga platforma ndërkombëtare “IQAir”, e cila monitoron ndotjen e ajrit në nivel global.
Në këtë ranglistë, kryeqyteti i Kosovës zë vendin e 91-të, me një vlerë të nivelit të grimcave të dëmshme PM prej 33, që konsiderohet si nivel i pranueshëm dhe i ulët i ndotjes.
Ky pozicionim tregon një përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit në Prishtinë, krahasuar me vitet e kaluara, kur ndotja shpesh kishte arritur nivele alarmante.
Në Shqipëri, Tirana është qyteti me ndotjen më të lartë gjithëvjetore, e ndjekur nga Elbasani, më pas Durrësi, Korça dhe Shkodra. Me financim të Bashkimit Evropian, që synon ta afrojë vendin me “Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane”, këto 5 qytete janë nën monitorim për cilësinë e ajrit, zhurmës dhe gjelbërimit urban.
Sektori i ndërtimeve dhe transportit janë shkaktarë kryesorë të niveleve të larta të ndotjes, ndërsa, sipas specialistëve, koston e ndotjes e paguajnë mushkëritë e qytetarëve. Çdo vit raportohen rreth 3000 vdekje si pasojë e ndotjes së ajrit.
Grupet më të rrezikuara nga ndotja e ajrit dhe zhurmave janë të moshuarit, të sëmurët kronikë, të sapolindurit dhe gratë shtatzëna. Për specialistët mbetet shqetësues fakti që Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e monitoron cilësinë e ajrit dhe as instituti i Shëndetit Publik nuk raporton prej vitesh mbi incidencën e sëmundjeve të ndryshme të popullatës që lidhen më ndotjen dhe cilësinë e ajrit.