Live From Tirana Sociale

Problematikat në shoqëri sot/Avokatja: Çiftet e reja ndahen më shpejt, gratë e kërkojnë divorcin!

E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë avokatja Nexhi Beqiri. Ajo ka folur më shumë mbi situatat më të shpeshta ligjore në Shqipëri, por jo vetëm…

Pse shkojnë sot çiftet e rinj në dyert e gjykatës?

Nuk është si dikur. Vërtet që ndihet një frymë liberale, një mungesë kontrolli, ose si të thuash nuk e ruajmë dot kollaj familjen tradicionale të lidhur njëherë në martesë dhe të vazhduar për gati gjithë jetën. Çiftet që kanë kaluar gati 20, 30, 40 vjet martesë, janë ato që janë krijuar përpara se sa të ndërronte regjimi. Kurse çiftet e reja ndahen më shpesh. Nëse më përpara, dëgjonim jashtë shtetit, që ndaheshin pas 7 apo 10 vitesh martesë, tani po i shikojmë që edhe në Shqipëri ka që ndahen që në 5 vitet e para, ka që ndahen dhe pas 20 vjetësh apo 30 vjetësh, por ka pasur raste në gjykatë që janë ndarë dhe kur kanë qenë 70 vjeç njëri e 80 vjeç tjetri. Tek gjykata e Tiranës ka ndodhur kjo, ishte 72 me 78 vjeç, burri me gruan. Pse ndodh kjo? Ndodhin dhe për faktin se gratë kërkojnë të zgjidhin martesën, sepse ka disa arsye. Arsyeja themelore tani është që gratë nuk janë si dikur, nuk e durojnë dot dhunën. Nëse një dhunë ekziston dhe ajo përsëritet, shkojnë shumë shpejt në gjykatë. Bëjnë grindjet, përsëriten disa herë, bëjnë përpjekje për t’u qetësuar, për të rivendosur marrëdhënien e mirë, por ndonjëherë ka arsye që nuk vazhdohet dot më dhe zgjidhet martesa. Unë nuk e lidh këtë me faktin që është dobësuar familja, përkundrazi, kjo tregon që vajzat dhe gratë e sotme, pretendojnë për një jetë pa dhunë, pa privime, një jetë ku dhe ajo të konfirmohet, të ketë dhe ajo suksesin e saj, të ketë pavarësinë ekonomike, të ketë karrierën e vet. Kështu që, burrat të cilët mund të jenë egoistë, që nuk e pranojnë dot një grua të tillë të fuqishme, ose që nuk pranojnë dot që ndonjëherë mund t’ia kalojë gruaja burrit, sepse mund të ketë mbaruar studimet e larta, shumë shpesh xhelozia apo inati, konkurrenca e brendshme, bën që ta shtojë dhunën ose të tregojë shenja xhelozie, duke e bërë të padurueshme jetën në çift. Kështu që, gra të tilla që ndihen të fuqishme vetë, janë solide, që kanë besim në veten e tyre, e vlerësojnë veten e tyre, që kanë aftësi që mund t’ia dalin dhe vetë, ose që pas kësaj lidhje mund të krijojnë një lidhje të re, kur dikur quhej shumë e vështirë kjo gjë, tani nuk është aq e vështirë.