Integrimi brenda 2030-ës dhe dhënia e pasaportës së BE-së shqiptarëve, kryefjalë të kryeministrit, Edi Rama në prezantimin e programit të Partisë Socialiste për “Shqipërinë 2030”. Shefi i qeverisë theksoi se jemi më pranë se asnjëherë më parë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së.
T’i çojmë një mesazh Bashkimit Europian: duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe shqiptarët. Eshtë një ambicie që deri pak vite më parë do të dukej çmenduri. Ne vërtetë nuk kemi viza për të lëvizur në Europë, por nuk kemi as të drejtë për të ndaluar në një vend të BE-së, ndaj na marrin në pyetje kur arrijmë në kufijtë e BE-së, që kthejnë pasaportën parë e mbrapsht dhe nisin pyetjet se ku po shkon?
Sa do të rrish? Sa para ke me vete dhe kur do të ikësh? Eshtë një histori që mund të vazhdojë gjatë nëse ne bashkë nuk e mbyllim, duke i vënë kapak. Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën e “Shqipërisë 2030”.

Kryeministri Rama iu bëri thirrje shqiptarëve për mbështetje të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Për pasaportën e BE-së na duhet një mandat i fortë, ndaj kush e do pasaportën e BE-së, duhet të japë kontribut që Shqipëria të hyjë në BE dhe kontributi është investimi i votës në nr. 5. Këtë duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë. Çdo luhatje, çdo ndalesë, konfuzion, e bën afatin e 2027-ës që të digjet.
Askush tjetër nuk ju pajis me pasaportë të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Me pasaportën e BE-së, Europa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe ne bëhemi të mëdhenj sa BE-ja.
Rama premtoi se nga janari 2026, paga mininale do të jetë 500 euro ndërsa brenda 2030-ës, pensioni mesatar 400 euro.
Janar 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Pensioni mesatar 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota, ndërkohë pensioni minimal për të gjithë të tjerët, 200 euro.
Më tej vuri në dukje se u realizua dhe premtimi për punësimin.
Sot numri i të punësuarve është 1.3 milion. Më shumë se 300 mijë vende të reja pune.
Rama tha se PS-ja është e vetmja forcë politikë që garanton drejtësinë.
Ne e dorëzuam shpatën. Sot, ajo shpatë është në duart e SPAK-ut. Sot, ajo peshore është në duart e Gjykatës Speciale dhe sot ne jemi garantët e vetëm të kësaj historie të re, të cilën bufi i kënetës, bashkë me të gjithë të tjerët rreth tij përbetohen e betohen se do ta kthejnë përmbys.