Aktualitet

Rama: Duhet zgjerimi i mbulimit me sigurime te biznesi i vogël dhe familjet me të ardhura të ulëta!

Kryeministri Edi Rama nënvizon rëndësinë e zgjerimit të mbulimit me sigurime te biznesi i vogël dhe familjet me të ardhura të ulëta. Në Konferencën Vjetore të IAIS (Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve), mbledhja më e madhe e mbikëqyrësve të sigurimeve, që zhvillohet për herë të parë në rajonin e Ballkanit, në Tiranë, Rama u shpreh se mikrosigurimet mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

Në rastin e Shqipërisë, shefi i qeverisë vuri në dukje se pavarësisht përpjekjeve për mbulim më të mirë me sigurime, ende shumë familje dhe biznese të vogla mbeten pa mbrojtjen e nevojshme.

Dëmi i katastrofave të tilla si përmbytjet, zjarret, tërmetet, referuar kreut të ekzekutivit, mund të shkatërrojnë vite pune të mundimshme duke i lënë të pambrojtur.

Rruga përpara është e qartë. Na duhet të zgjerojmë rrjetat tona të sigurimit për të përfshirë më shumë individë, sektorë dhe lloje rreziqesh dhe të sigurohemi që këto zgjidhje të mund të merren nga gjithkush.

Ana pozitive e kësaj tabloje të zymtë është se ka zgjidhje dhe po dalin platforma digjitale që po na fuqizojnë për të zgjeruar shtrirjen tonë, sidomos për komunitete të nënshërbyera. Evoluimi i vazhdueshëm digjital që po kalojmë synon të krijojë tërheqje më efikase, më të aksesueshme, përfshi sigurimet.

Detyrimi ndaj qytetarëve tanë është që t’i ndihmojmë t’i shohin sigurimet si një pjesë thelbësore jetës së tyre dhe si një investim në të ardhmen e tyre.

Strategjitë novatore të sigurimeve, sipas tij, ofrojnë premtimin e rezistencës për të gjithë.

Nisma si mikrosigurimet mund të ndihmojnë në zgjerimin e mbulimit duke përfshirë bizneset e vogla dhe individët me të ardhura të ulëta, duke lidhur ngushtë sigurinë shoqërore me zgjidhjet e orientuara nga tregu. Kur bëhet me sukses sigurimi gjithëpërfshirës, garanton siguri.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se harmonizimi i politikave mes vendeve ndërton një përgjigje më të fortë ndaj krizave.