Pandemia dhe vaksinat
Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, e vuri theksin te disa nga sfidat kryesore në botë sot.
Rama u ndal te pandemia e koronavirusit, duke i bërë thirrje botës mbarë që të sigurojë urgjent vaksina për vendet më të varfra, pasi sipas kryeministrit shqiptar, të pavaksinuarit mbartin rrezikun e përhapjes së virusit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se mbështet propozimin për një traktat të ri ndërkombëtar për përballimin e pandemive përmes bashkëpunimit.
Është një nder i veçantë të mbaj këtë fjalë si përfaqësuesi i një vendi, që për herë të parë në historinë e vetë i bashkohet OKB, si anëtar jo i përhershëm për periudhën 2022-2023. Rëndsia e këtij evenimenti për një shtet, që jo shumë kohë më parë konsiderohej si më i izoluari dhe i shtypuri në botë, dhe ndjenja e përgjegjësisë që marrin është aq e madhe, sa nuk e shpreh dot me fjalë.
Shqipëria i sjell OKB pikëpamjet e një vendi të vogël, por të angazhuar, i vetëdijshëm për sfidat e të ardhmes. Ka zbuluar mundësitë e bashkëpunimit shumëpalësh. Shqipëria është një vend që karakterizohet nga respekti, toleranca fetare. Ajo do të ulet në Këshillin e Sigurisë me një agjendë të qartë përparësisë, që përfaqëson atë që vetë Shqipëria moderne përfaqëson, respektimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut, zgjidhet me konsensus, përfaqësimin e grave, angazhim konkret e të vazhdueshëm për të luftuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Është kënaqësi të kthehem fizikisht në këtë sallë paqeje, për të folur për sfidat e përbashkëta, pandeminë, që ka shkaktuar dhimbje të tmerrshme kudo. Edhe Shqipëria ka vuajtur nga kjo plagë. Sot kemi më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare të vaksinuar dhe presim të vaksinojmë të gjithë popullsinë në 10 muajt e ardhshëm. Një nga mësimet e kësaj tragjedie është se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm.
Kjo është arsyeja pse dhjetëra mjekë shqiptarë ikën për të ndihmuar në Itali, dhe më pas patëm fatin të presim mjekët italianë për të na ndihmuar. I detyrohem një falënderim nga zemra atyre që na u gjendën të na ndihmojnë, Turqinë, Komisionin e Bashkimit Evropian, Italinë, Greqinë, Letoninë, Danimarkën, etj. Do jemi në gjendje të triumfojmë vetëm përmes luftës së përbashkët dhe bashkëpunimit të pandërprerë.
Njihni Kosovën
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në Asamblenë e OKB njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur prerë se kjo gjë duhet të përfundohet. Rama deklaroi se Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kryeministrit shqiptar, Kosova është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe që ka sjellë shumë paqe e stabilitet në rajon, si dhe ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur.
Megjithatë, kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur.
Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, tha kryeministri Rama, deklaroi Rama.
“Bëj gjëra të vogla, por me dashuri të madhe”
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka mbyllur fjalën e tij në Asamblenë e OKB me thënien e të madhes Nënë Tereza, duke u duartrokitur nga gjithë të pranishmit.
Teksa foli për pranimin e emigrantëve afganë në Shqipëri, Rama u shpreh se “Ashtu si Nënë Tereza ka thënë ‘Edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla, por me dashuri të madhe’. Ne po bëjmë pjesën tonë”.
Më tej, kryeministri i Shqipëri deklaroi se “Tani dua të them dy fjalë për Afganistanin. Është detyra jonë të bëjmë diçka për të mos braktisur popullin afgan, që e gjen veten edhe njëherë në udhëkryq. Ndërkohë që ngjarje dramatike zhvilloheshin para syve tanë, nuk mund të rrinim duarkryq. Bëmë atë që kemi bërë në momente të tjera kritike të historisë sonë, kur shpëtuam mijëra viktima të Holokaustit, apo kur mirëpritëm gjysmë milioni vëllezër e motra kosovarë, që i shpëtonin ferrit të spastrimit serb. Në këtë jetë ka një kohë kur merr, e një kohë kur jep”.