Aktualitet

Raporti i SPAK: Rriten me rreth 70% hetimet e nisura nga referimet e Policisë së Shtetit në 2025

Gjatë vitit 2025, konstatohen në total 131 hetime të filluara me kallëzime dhe referime nga individë dhe institucione, duke ruajtur një trend të ngjashëm me vitin paraardhës (132 hetime). Në ndryshim nga viti 2024, të dhënat statistikore tregojnë se hetimet e filluara me referime nga Policia e Shtetit, për vitin 2025 kanë shënuar një rritje me rreth 70%, nga 30 në 2024 në 51 në 2025.

Hetimet e filluara me kallëzime nga shtetas, vijojnë të mbeten të larta për të tretin vit radhazi.

Për vitin 2025, ato zënë rreth 33.5% të totalit, duke konfirmuar sërish besimin e lartë të publikut tek Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë vitit 2025, hetimet e filluara me kallëzime nga institucionet publikë kanë shënuar një rritje të lehtë, krahasimisht me të njëjtin tregues të vitit 2024.

Ndërkohë, vihet re një rënie e ndjeshme, si për hetimet e filluara me referime nga persona juridikë (me rreth 75%) ashtu edhe për ato të referuara nga subjekte politike (pothuajse e përgjysmuar).

SPAK ka shënuar një rritje të ndjeshme të qasjes proaktive në hetime. Nga 294 procedime penale të reja të regjistruara në vitin 2025, 109 janë nisur kryesisht nga Prokuroria e Posaçme, që përfaqëson rreth 37% të totalit, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me 19.8% në vitin 2024 (65 hetime kryesisht nga 328 procedime të reja). Kjo tregon një fokus më të madh të institucionit në nisjen e hetimeve kryesisht, duke forcuar kontrollin dhe drejtimin strategjik të çështjeve. Ky fokus është mbështetur edhe nga aksesi i sigurt në 22 sisteme dhe databaza shtetërore, përfshirë 3 sisteme të reja, që kanë përmirësuar ndjeshëm shpejtësinë, sigurinë dhe eficiencën e proceseve hetimore.

‘Krimet nga grupet kriminale me risk të lartë’, SPAK në raportin për 2025-ën: Me risk më të ulët trafiku i qenieve njerëzore dhe aktet e terrorizmit

Në raportin vjetor ku pasqyrohet puna e strukturës përgjatë vitit 2025, SPAK tregon me shifra riskun për kryerjen e veprave penale nga grupe të strukturuara si dhe për shifrat e terrorizmit. Ndër veprat penale kryesore, nga hetimi i vitit 2025 vihet re se, shumica e tyre kanë tendencë të kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (54%) dhe kjo formë e kryerjes së këtyre veprave penale vijon të mbetet shqetësuese dhe me risk të lartë. Riskun më të madh ndër veprat penale e paraqet trafikimi i narkotikëve (28.4%), pasuar nga pastrimi i produkteve të veprës penale (24.3%). Veprat penale të lidhura me terrorizmin (12%), paçka nivelit të rënies së tyre, konsiderohen me risk mesatar për shkak të ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare dhe publike, ndërsa mashtrimi kompjuterik (4.5%) dhe trafiku i qenieve njerëzore (1.4%) kanë risk më të ulët, por kërkojnë monitorim për pasojat sociale dhe karakterin ndërkufitar të tyre. Në tërësi, trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i parave në kuadër të krimit të organizuar mbeten vepra penale më me prioritet për SPAK.