NATO ka bërë thirrje që të ulen menjëherë tensionet në veri të Kosovës. Në një reagim në twitter zëdhënësja e Aleancës së Atlantikut të Veriut, Oana Lungescu, thotë se NATO bën thirrje që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çfarëdo vendimi të njëanshëm dhe të kthehen në dialog.
“NATO bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje Beogradit e Prishtinës të përmbahen, të shmangin veprimet e njëanshme e të kthehen në dialog. Mandati i KFOR-it mbetet për të garantuar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
#NATO calls for immediate de-escalation in the north of #Kosovo. We urge both Belgrade & Pristina to exercise restraint, avoid unilateral actions & return to dialogue. @NATO_KFOR’s mandate remains to ensure a safe & secure environment & freedom of movement for all communities.
— NATO Spokesperson Farah Dakhlallah (@NATOpress) September 24, 2021
Sot është dita e pestë kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është vendosur në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31 në Jarinje e Bërnjak, kjo pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për reciprocitet në targa me Serbinë, duke i nxjerrë targat e përkohshme për të gjithë ato automjete që futen me targa serbe në Kosovë.
Dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, vijojnë të jenë të bllokuara pasi protestuesit serbë kundërshtojnë reciprocitetin e targave, për të pestën ditë me radhë. Forcat e policisë gjenden në terren ndërsa ekspertët e sigurisë nuk e përjashtojnë përshkallëzimin e situatës.
Deri më tani bllokada ka cënuar lëvizjen e lirë të njerëzve ndërsa qarkullimi i mallrave vijon në pikën kufitare të Merdarës. Prishtina nuk heq dorë nga masa reciproke duke e argumentuar me fundin e marrëveshjes së Brukselit ndërsa Beogradi përforcon thirrjet për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, një pikë debati që vazhdon me dekada.