Aktualitet Rajoni

Rekord rastesh me koronavirus/Ballkanit i kërkohet të përshpejtojë procesin e vaksinimit pasi po përballet me një situatë të vështirë të pandemisë!

Vendet e Ballkanit janë prekur nga një rritje e rasteve me koronavirus.

Sllovenia ka shënuar rekord të infeksioneve, duke regjistruar 4, 511 raste.

Ndërsa Rumania dhe Bullgaria ndodhet në gjendje emergjente , si edhe janë vende me shkallë të ulët të vaksinimit. Ndërkohë në Rumani ka pasur gati 9 mijë të infektuar.

Kroacia po ashtu ka raportuar shifra të larta në 24 orë, me 6, 310 të prekur, gati 5 mijë të infektuar janë shënuar në Bullgari.

Serbia ka shënuar 6, 126 raste të infeksioneve.

Autoritetet shëndetësore të vendeve kanë bërë thirrje për përshpejtim të procesit të vaksinimit pasi Ballkani është prekur nga një rifillim i fuqishëm i pandemisë.

Në Shqipëri bie me 40 përqind vaksinimi në tetor!

Në Shqipëri, procesi i vaksinimit të popullsisë shënoi një rënie të ndjeshme gjatë muajit tetor me gati 40 përqind, krahasuar me dy muajt e mëparshëm. Megjithatë autoritetet thonë se aktualisht ka një ritëm të qëndrueshëm.

Sasitë më të mëdha në dispozicion dhe përmirësimi i infrastrukturës për shpërndarjen e tyre, shihen si një mundësi për të ecur më shpejt. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi dje në Parlament se Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH-së, për mbulesë vaksinale të 70 % të popullatës, deri në mesin e vitit 2022.

Gjatë muajve të verës, fushata e vaksinimit eci me ritme të larta, me një mesatare ditore prej 7500 dozash, në korrik, duke u rritur më pas në afro 8900 doza në gusht e në shtator. Por në muajin tetor, u çregjistrua një tkurrje e ndjeshme. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se muajin e kaluar shifrat ranë me gati 40 përqind, duke zbritur në një mesatare ditore prej pak më shumë se 5400 vaksinime.