Reperi amerikan Lil Nas X është shoqëruar me urgjencë në spital, pasi është parë duke ecur në mes të rrugës në orët e para të mëngjesit vetëm me të brendshme dhe çizme kauboji, duke ngritur dyshime për një mbidozë të mundshme.
Sipas raportimeve të TMZ dhe Daily Mail, incidenti ka ndodhur në Ventura Boulevard, Studio City, ku banorë të zonës njoftuan policinë pasi panë një burrë të zhveshur duke ecur i çrregullt.
Kur oficerët mbërritën, 26-vjeçari Montero Lamar Hill, i njohur me emrin artistik Lil Nas X, nuk ndaloi, madje sipas burimeve, u përplas drejt tyre, gjë që detyroi policët ta ndalonin dhe ta lidhnin me pranga.
Autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për mbidozë dhe menjëherë njoftuan ekipin mjekësor, i cili e transportoi reperin në spital, ku ai po merr trajtim.

Ngjarja vjen vetëm katër muaj pasi Lil Nas X ishte shtruar në spital për shkak të një paralize të pjesshme të fytyrës, një problem që ai vetë e kishte ndarë me fansat përmes një videoje, duke i siguruar më pas se gjendja e tij ishte stabilizuar.
Në pamjet e shpërndara nga kalimtarë gjatë incidentit të fundit, reperi shihet duke kënduar, duke folur pa pushim për një “party”, duke bërë poza të çuditshme dhe madje duke vendosur një kon portokalli trafiku mbi kokë.
Në një moment, ai i drejtohet kameramanit duke thënë:
Mos u vono në festën e sonte… e di ti ku është
-ndërsa pak çaste më vonë kërkon telefonin për ta hedhur larg, duke deklaruar se “nuk i pëlqen telefonat”.
Lil Nas X më herët ka folur hapur për përvojat e tij me substanca të ndryshme.
Në një intervistë për WSJ në vitin 2021, ai pranoi se kishte eksperimentuar me kërpudha psikedelike gjatë punës për albumin “Montero”, duke thënë se kjo e ndihmoi të shprehej më thellë emocionalisht.
Po ashtu, në vitin 2020 për “Variety”, ai tregoi se humbja e gjyshes e kishte çuar drejt konsumit të shpeshtë të marihuanës për të përballuar dhimbjen.
Aktualisht, reperi ndodhet nën kujdes mjekësor, ndërsa burime nga policia nuk përjashtojnë mundësinë që ai të përballet edhe me akuza pas këtij incidenti.