Bota

Rusi, rrëzohet avioni me 49 persona në bord/Në flakë, në majë të malit!

Aksident ajror, një avion pasagjerësh që transportonte 49 persona u rrëzua në rajonin lindor të Rusisë, Amur mëngjesin e sotëm. Sipas autoriteteve, mjeti fluturues me motor Antonov-24 i operuar nga Angara Airlines fluturonte për në qytetin Tynda nga Blagoveshchensku kur u zhduk nga radari.

Guvernatori rajonal Vassily Orlov shkroi në Telegram se një helikopter vuri re avionin që po digjej në një mal rreth 16 kilometra nga Tynda.

Helikopteri nuk pa asnjë shenjë që të tregonte për të mbijetuar. Agjencia e mbrojtjes civile e rajonit Amur tha se po dërgon ekipet e shpëtimit në vendngjarje.

Për momentin, janë dërguar 25 persona e pesë njësi me pajisje, si dhe katër avionë me ekuipazhe janë në gatishmëri, thekson agjencia e mbrojtjes civile.

Mosfunksionimi dhe gabimi njerëzor po konsideroheshin si shkaqe të rrëzimit të avionit në Tynda, raportoi paraprakisht komiteti hetimor i transportit të vendit.

An-24 është një avion rajonal me dy turbohelikë i projektuar nga Byroja e Dizajnit Antonov e Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1950. I njohur për qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tij për të operuar nga pistat e pashtruara, ai u përdor gjerësisht në rajone të largëta të Rusisë e të Azisë qendrore.