E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja Sabina Mete, njëkohësisht ish-banore e “Big Brother VIP 5”. Ajo ka folur për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, por jo vetëm…
Sabina ka treguar ndër të tjera se është agjërueshëm këtë muaj të shenjtë të Ramazanit:
Unë agjëroj gjithë muajin. Kanë përshtypje të gabuar për korçarët. Kur u them njerëzve që jam nga Korça, habitem si ka mundësi një myslimane nga Korça. Duke qenë se festohet kaq shumë Pashkët dhe Krishtlindja dhe bëhet më bukur se nga çdo qytet tjetër, është krijuar përshtypja sikur pjesa më e madhe e qytetarëve janë të krishterë. Megjithatë, statistikat e INSTAT kanë nxjerrë që numri më i madh i popullsisë është myslimane. Është viti i 15-të që agjëroj, kam vite që agjëroj. Më vjen keq që po mbaron, realisht. Kam ikur në xhami që e vogël dhe mbaj mend një zonjë me shami që po bënte faljen dhe më mësoi hyrjen në islam, fjalinë e parë që të fut tek lutja e parë. Kam qenë rreth 6-7 vjeç dhe më tha diçka që e kam kujtuar gjithmonë: “Nëse diçka është për ty, do kalojë të gjitha malet dhe do vijë. Nëse nuk është për ty, do ta kesh deri tek buza dhe nuk do kalojë kurrë poshtë.” Kjo më ka ndjekur gjithë jetën dhe e kujtoj gjithmonë. Është muaji i sakrificës, është muaji që jam nga ana sentimentale shumë herë më e ndjeshme. Ka kaluar kaq shpejt, sepse unë kam përjetuar dhe vitet e tjera që agjërimi ka qenë gjatë verës dhe ka qenë pak më i vështirë, kur duhet të çelje iftarin në orën 08:30 të darkës. Kështu që ka kaluar shumë kollaj. Kur ti e do diçka, e bën me qejf, nuk të detyron askush, nuk i vë re këto gjërat e tjera.