Aktualitet

Seanca Parlamentare/ Presidenti shprehu shqetësimin e thellë për shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar

Zhvendosen në Kuvend debatet për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sot në seancë plenare, deputeti i Opozitës, Ralf Gjoni kërkoi komision parlamentar për hetimin e çështjes dhe madje u ofrua ta drejtojë. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi bëri të ditur se grupi demokrat do të institucionalizojë një kërkesë për interpelancë me Qeverinë për çështjen e Teatrit. Gjithashtu i ktheu përgjigje deputetit Gjoni. Për kërkesën e Ralf Gjonit, në të njëjtën linjë me kreun e Kuvendit ishte dhe kreu i grupit socialist, Taulant Balla. Deputeti i Opozitës, Lefter Maliqi akuzoi qeverinë se shfrytëzoi zgjatjen e afatit të asaj që e cilësoi “fatkeqësi fantazmë natyrore” për të shkatërruar Teatrin Kombëtar.

Presidenti i Republikës i kërkon Opozitës jashtëparlamentare t’i rikthehet tryezës politike të Reformës Zgjedhore, nga e cila u largua pas zhvillimeve të fundit që kulmuan me shembjen e Teatrit Kombëtar. Për rreth një orë, sot Meta priti kryetarin demokrat Basha dhe aleatët. Sipas Presidencës, “Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që Opozita e Bashkuar të japë kontributin e saj në Këshillin Politik, që të tregojë vullnetin për rikthimin e legjitimitetit të të gjithë institucioneve përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Siç bëhet e ditur në njoftimin zyrtar, “Presidenti shprehu shqetësimin e thellë për shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar ndërsa e cilësoi provokim për demokracinë, shtetin ligjor, si dhe për Opozitën e Bashkuar e natyrisht ndaj vlerave europiane”. Po ashtu, Meta informoi drejtuesit e partive opozitare mbi përpjekjet e propozimin prej tij, të një platforme konkrete gjithëpërfshirëse për integrimin europian.