Rajoni

Serbi, aktakuzë ndaj 13 personave pas shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor!

Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen e strehës së stacionit hekurudhor në këtë qytet të Serbisë, ku nëntorin e kaluar humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë. Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-ministri i Ndërtimit, Goran Vesiç.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer vepra penale të kualifikuara si “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, referuar Kodit Penal.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Lartë në Novi Sad që të caktojë paraburgim për të akuzuarit, duke u bazuar në shqetësimin e madh publik që mund të cënojë zhvillimin e qetë e të drejtë të procesit gjyqësor, si dhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Aktakuza përfshin ish-zyrtarë të Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, ish-drejtorë të kompanisë “Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë”, projektues, inxhinierë përgjegjës për projektin e lejes së ndërtimit, mbikëqyrës të punimeve, bashkë me persona përgjegjës për kontrollin teknik dhe ekzekutimin e punimeve.

Sipas aktakuzës, përgjegjësit kanë lejuar përdorimin e objektit publik, ndërtesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, Krahu B edhe pse punimet e rindërtimit ishin ende në zhvillim dhe objekti nuk kishte marrë lejen e përdorimit. Përveç kësaj, ata akuzohen për mosmirëmbajtjen e strukturës para rindërtimit dhe për parregullsi gjatë fazës së projektimit e gjithashtu ekzekutimit të punimeve.

Për mbrojtjen e interesave të të dëmtuarve, prokuroria ka propozuar që gjykata t’u njohë kërkesat pasurore-juridike palëve të autorizuara. Gjithashtu është propozuar që të gjithë të akuzuarve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve dhe veprimtarive përkatëse, si dhe të detyrohen të mbulojnë shpenzimet e plota të procedurës penale, thuhet në njoftim.

Pak ditë pas shembjes së strehës, Goran Vesiç dha dorëheqje, duke deklaruar se nuk ndihej fajtor, por se po vepronte si “njeri i përgjegjshëm”. Ndërkaq deklaroi se gjatë mandatit të tij ishte përgatitur vetëm projekti përfundimtar i punimeve në stacionin hekurudhor, për të cilin tha se nuk miratohej nga ministria që drejtonte.

Vesiç dhe zyrtarë të tjerë kishin theksuar menjëherë pas tragjedisë se streha e shembur nuk ishte përfshirë në projektin e rindërtimit të stacionit. Vetëm 4 muaj pas përfundimit të punimeve dhe hapjes solemne, në nëntor 2024, shembja e strehës së ndërtesës së stacionit hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri.

Kjo tragjedi ndezi një valë protestash masive kundër qeverisë në mbarë Serbinë. Gjatë 9 muajve të fundit, qindra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me kërkesën kryesore që të vendoset përgjegjësia penale dhe politike për këtë ngjarje. Në qendër të protestave kanë qenë akuzat se shembja e strehës ishte pasojë e korrupsionit.