Health & Beauty Lifestyle

Ndotja e ajrit lidhet me rritjen e rasteve të demencës?

Një studim i gjerë nga Universiteti Johns Hopkins ka konfirmuar diçka që shumë shkencëtarë dyshonin prej kohësh: ndotja e ajrit nuk prek vetëm mushkëritë, por edhe trurin.

Analiza, e cila përfshiu miliona individë, tregoi se njerëzit që jetojnë në zona me ndotje të lartë kanë rrezik më të madh për të zhvilluar demencë, veçanërisht atë të tipit Lewy body, një formë e rëndë e saj.

Hulumtuesit zbuluan se grimcat mikroskopike të ndotjes depërtojnë në gjak dhe arrijnë deri në tru, duke shkaktuar inflamacion dhe dëmtime të qelizave nervore.

Ky proces, me kalimin e kohës, ndikon në kujtesë, aftësi njohëse dhe sjellje.

Ky zbulim ka ngritur alarmin te mjekët dhe politikanët, të cilët tani e shohin përmirësimin e cilësisë së ajrit jo vetëm si një çështje ekologjike, por si një domosdoshmëri për shëndetin publik.

Sipas tyre, reduktimi i ndotjes mund të ulë ndjeshëm jo vetëm numrin e rasteve të kancerit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, por edhe të demencës, duke kursyer miliona jetë dhe miliarda dollarë në kujdes shëndetësor.