Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes konstatuan zjarrin në një automjet tip Mercedes, i cili kishte marrë flakë në pjesën e përparme, në zonën e motorit.
Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi e kanë përfshirë edhe një automjet tjetër tip BMW, i parkuar pranë mjetit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje shkuan shërbimet zjarrfikëse, që kanë bërë të mundur shuarjen e flakeve. Megjithatë, të dy mjetet pësuan dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendngjarje ka shkuar edhe Policia, që nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit. Uniformat blu sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e shkakut që çoi në djegien e dy automjeteve.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarr aksidental apo të qëllimshëm.