Bota

Shkurtimet e ndihmave mund të shkaktojnë 22 milion vdekje në 4 vjet!

Një studim i fundit i “Lancet Global Health” ngre alarmin për ndikimet dramatike të shkurtimit të ndihmave ndërkombëtare, duke parashikuar se mund të çojnë në më shumë se 22 milion vdekje të shmangshme deri në vitin 2030, përfshirë 5.4 milion vdekje fëmijësh nën 5 vjeç.

Në dy dekadat e fundit, ndihmat për vendet në zhvillim kanë ndihmuar në uljen dramatike të numrit të fëmijëve që vdesin nga sëmundjet infektive. Por, sipas këtij modeli, këto përparime mund të përmbysen për shkak të shkurtimeve të menjëhershme të buxhetit nga disa vende donatore të rëndësishme, si SHBA-të e Mbretëria e Bashkuar.

Në analizë, studimi shqyrtoi lidhjen midis vëllimit të ndihmës dhe shkallës së vdekshmërisë në vitet 2002-2021 dhe parashikoi tre skenarë të mundshëm për të ardhmen:

Në skenarin më të keq, ku ndihmat do të shkurtoheshin ndjeshëm, parashikohet që 22.6 milion njerëz do të vdesin deri në vitin 2030, përfshirë 5.4 milion fëmijë. Në një skenar ku do të kishte një shkurtim më të lehtë të fondeve, pritet të ndodhin 9.4 milion vdekje shtesë, përfshirë 2.5 milion fëmijë nën 5 vjeç.

Shumica e vendeve donatore, përfshirë Gjermaninë, SHBA-të dhe Suedinë, kanë bërë njoftime për shkurtime të buxheteve të ndihmave. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të ndihmës nga Amerika do të ulet me më shumë se gjysmën deri në vitin 2025, nga 68 miliardë dollarë në 32 miliardë dollarë.

Po ashtu, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të zvogëlojë shpenzimet për ndihma nga 0.5% në 0.3% të PBB-së deri në vitin 2028, duke i drejtuar këto fonde për financimin e shpenzimeve ushtarake.

Studimi thekson rëndësinë e ndihmave ndërkombëtare, që kanë kontribuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet infektive, përfshirë HIV/AIDS e malarien, si dhe në trajtimin e mangësive ushqyese.

Eric Pelofsky, nënkryetar i Fondacionit Rockefeller, që ka mbështetur financiarisht këtë studim, e cilësoi hendekun e financimit të ndihmës si “shumë të madh për t’u përballuar” nga organizatat joqeveritare.

Për shkak të këtij hendeku, organizatat filantropike janë duke u fokusuar gjithashtu në inovacione të reja e në ndikimin mbi vendimmarrësit politikë për të adresuar këtë krizë.