Presidenti amerikan, Donald Trump, firmosi një urdhër ekzekutiv që synon shkurtime të mëdha në shtatë agjenci federale, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), e cila mbikëqyr Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë federalë. Urdhri shënjestron edhe agjenci që merren me të pastrehët, mosmarrëveshjet në punë dhe zhvillimin e komunitetit.
Brenda shtatë ditëve prej datës së këtij urdhri, kreu i secilit entitet qeveritar që është renditur [në urdhër] duhet t’i dorëzojë një raport drejtorit të Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin, për të konfirmuar zbatimin e plotë të këtij vendimi e të sqarojë se cilët komponentë apo funksione të njësive qeveritare, nëse ka të tillë, kërkohen me ligj e në çfarë shkalle.
Radio Evropa e Lirë nuk e ka komentuar ende urdhrin ekzekutiv. Agjencia e SHBA-ve për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare, që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milion njerëz në baza javore.
Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milion dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale. Aty përfshihen mediat si Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Përgjatë mandatit të parë, Trump, i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare që kur ka nisur mandatin e dytë në janar e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve.
Ai i ka përsëritur këto shqetësime edhe pasi nisi mandatin e dytë. Mbështetësit e transmetueseve, në anën tjetër, vlerësojnë se janë mjet i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.
Përveç USAGM-it, urdhri shënjestron edhe Shërbimin Federal të Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, Qendrën kërkimore ndërkombëtare Woodrow Wilson në Institutin Smithsonian, Institutin për Shërbime të Muzeut dhe Bibliotekës, Këshillin Ndërinstitucional të Shteteve të Bashkuara për të Pastrehët, Fondin e Institucioneve Financiare për Zhvillimin e Komunitetit dhe Agjencinë për Zhvillimin e Biznesit të Minoriteteve.