Këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez ka organizuar galanë e tretë vjetore të bamirësisë “Rare Impact Fund” në Los Angeles, ku në qendër të vëmendjes ishte shëndeti mendor dhe rëndësia e kujdesit për mirëqenien emocionale, veçanërisht tek të rinjtë.
Eventi, i udhëhequr nga Jimmy Kimmel, u zhvillua në mbështetje të fondacionit që Gomez themeloi në vitin 2020 me synimin për të mbledhur 100 milionë dollarë për organizatat që ndihmojnë në përmirësimin e aksesit global ndaj shërbimeve të shëndetit mendor dhe arsimit për të rinjtë. Në mbrëmje morën pjesë artistët Laufey dhe The Marías.
Në fjalën e saj hapëse, Selena Gomez pranoi se pavarësisht viteve të angazhimit të saj publik për këtë kauzë, “shëndeti mendor mbetet ende një temë e ndjeshme dhe e vështirë”.
Sonte do të provojmë se progresi është i mundur
-u shpreh ajo.
Ajo theksoi se krenaria më e madhe e saj mbetet puna me këtë organizatë:
Jetojmë në një botë ku presioni, veçanërisht mbi të rinjtë, nuk ka qenë kurrë më i madh. Nga ngacmimi në mediat sociale deri te vetëvrasja, shëndeti mendor nuk është një çështje dytësore. Është themeli i gjithçkaje – kreativitetit, lidhjes, të mësuarit, shpresës. Kur të rinjtë kërkojnë ndihmë, ata duhet të dinë se ndihma ekziston.
Në një intervistë për “The Hollywood Reporter”, Gomez theksoi edhe një herë ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor, duke apeluar për ndërgjegjësim dhe pushim nga platformat dixhitale.
Mendoj se është shumë e rëndësishme të bësh pushime – edhe nëse është për një ditë, apo për një orë. E di që duket sikur gjithçka ndodh në celular, por jashtë tij ekziston një botë e tërë që ia vlen të përjetosh
-tha artistja.
Me këtë gala, Selena Gomez rikujtoi edhe një herë se përkushtimi ndaj shëndetit mendor është një mision që e tejkalon famën dhe suksesin, duke frymëzuar mijëra njerëz në mbarë botën të kujdesen për veten dhe njëri-tjetrin.