Në të gjithë Europën, sidomos atë në zhvillim, njerëzit lëvizin në kërkim të një jete më të mirë. Globalizimi, hapja e tregjeve, lehtësimi i lëvizjes dhe kritereve të lejeve të punës nga shtetet e zhvilluara që po plaken, janë mundësi që natyrshëm, shumëkush do të përpiqet t’i shfrytëzojë, sidomos të rinjtë që sot kanë pritshmëri më të larta nga jeta.
Por, askush nuk ikën me ritmin që po largohen shqiptarët. Të dhënat e fundit të Eurostat-it, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se popullsia e Shqipërisë është reduktuar me 18.2% në fund të vitit të kaluar, në krahasim me 2011-ën, periudhë që përfshin dhe zhvillimin e dy censeve.
Gjatë kësaj periudhe, vendi është reduktuar me mbi 500 mijë banorë. Zyrtarisht, sot Shqipëria 2.36 milion banorë, shifër e raportuar dhe tek Eurostat-i. Kjo rënie në përqindje (e matur me madhësinë relative të kombit) është më e larta në Europë, sipas Eurostat-it. Shteti i dytë që ka humbur më shumë banorë, pas Shqipërisë, është Bullgaria, popullsia e së cilës është reduktuar me 12.3% brenda së njëjtës periudhë.
Maqedonia e Veriut renditet e treta, duke humbur 11.4%, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (-11.2%), Kroacia )-9.7), Letonia (-9.4) dhe Serbia (-9%). Vendi i rajonit që ka arritur të ruajë nivelet pothuajse të pandryshuara të popullsisë është Mali i Zi, që ka parë një rritje me 0.6% nga 2011-ta. (Shifrat për Kosovën mungojnë).
Shtetet e Europës Perëndimore, ndonëse janë më të plakura, kanë arritur të shtojnë popullsisë, si rrjedhojë e politikave agresive të emigrimit, si një zgjidhje për të adresuar problemet demografike, që kanë ardhur nga plakja e popullsisë dhe rënia e lindjeve.
Eurozona e ka rritur popullsinë me 3.2% nga 2011-ta. Në Itali, shteti më i plakur në Europë, së bashku me Spanjën, popullsia ka ndryshuar përkatësisht me -1.8% dhe +4.5%. Gjermania, që vitet e fundit ka lehtësuar kriteret e lejeve të punës ka rritur popullsinë me 4% në më shumë se një dekadë.
Në Shqipëri, tkurrja e fortë e popullsisë lidhet me dy faktorë. Së pari, ngadalësimi i shtesës natyrore, që gjatë pandemisë u kthye në negativ dhe tashmë është në nivele minimale, me vetëm 1.2 mijë persona plus më 2024-ën, nga mbi 60 mijë persona që ishte në fillim të viteve ’90.
Faktori i dytë dhe më i rëndësishëm është emigracioni, që njohu një valë të re pas vitit 2016, kryesisht nga popullsia e re në moshë. Në vitin 2024, sipas Eurostat-it, emigracioni neto ishte 28.8 mijë persona.
I dyti më i larti në Europë, pas Turqisë, që kishte një emigracion neto prej -156 mijë personash, por që është një shtet me një popullsi me 86 milion banorë. Që pas viteve ’90, në çdo dekadë, kur janë dhe të dhënat e censeve, nga vendi janë larguar mesatarisht 500 mijë persona.
Të dy këta faktorë kanë ndikuar në plakjen e popullsisë. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat-it, mosha mediane e Shqipërisë arriti në 44.3 vite më 2024-ën, duke iu afruar mesatares së BE-së prej 44.7 vitesh vitin e kaluar. Kjo do të thotë që në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Më 2010-ën, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.
Rënia e popullsisë dhe plakja e saj ka shkaktuar ngërç në tregun e punës, duke detyruar bizneset të frenojnë zgjerimin, ka frenuar produktivitetin, teksa janë rritur pagat pa u shoqëruar me rendimentin, ka frenuar konsumin dhe në afat të gjatë pritet të ndikojë skemën e pensioneve e rritjen e qëndrueshme ne vend. Qeveria nuk duket ende të pranojë si problem madhor, ritmet e larta me të cilat po reduktohet popullsia e vendit./Monitor