Sot në “Live From Tirana” zgjodhëm të flasim për një temë mjaft delikate si ajo e virgjërisë, e quajtur ende tabu nëse diskutohet hapur në shoqërinë shqiptare, ndërsa të flasësh për këtë gjë brenda familjes për shumë të rinj konsiderohet e turpshme apo e ndaluar.
Në median online ditët e fundit kanë qarkulluar artikuj të shumtë ku në qendër kanë qenë vajza që flasin rreth virgjërisë së tyre duke e quajtur një vlerë të madhe madje janë diskutuar raste të vajzave që e kanë shitur apo nxjerrë virgjërinë e tyre në ankand, por a cilësohet virgjëria një ‘vlerë’ në 2020-ën? Sakaq, në qendër të kritikave të shumta është edhe konkurrentja më e re e “Për’Puthen”, Sindi Loci. 22-vjeçarja, e cila studion për violinë në Bukuresht, deklaroi se nuk ka patur ndonjëherë marrëdhënie me meshkuj.
Menjëherë pas deklaratës së saj, gëluan reagimet në studion e Top Channel e sigurisht ato online ku një pjesë e vlerësuan sinqeritetin e saj duke përqafuar të shkuarën e Sindit ndërsa pjesa tjetër e paragjykuan duke thënë se fakti se ajo nuk ka patur asnjë përvojë me një mashkull e bën të prapambetur.
Sot për mikrofonin e Top Albania Radios, violinistja u shpreh se virgjëria e saj për të nuk është ndonjë vlerë e madhe. Ajo nuk dëshiron të njihet si vajza e “Për’Puthen” e cila nuk ka patur marrëdhënie seksuale me meshkuj deri tani, por si Sindi e cila adhuron artin dhe që i është fokusuar tërësisht shkollimit e violinës.
“Komentet e njerëzve më kanë lënduar, shumë prej tyre më kanë quajtur të prapambetur. Kur hyra në këtë program ku flitet për dashurinë doja të njihesha si Sindi artistja, si Sindi me shpirt të lirë që nuk paragjykon askënd dhe kërkon të përjetojë këto ndjenjat që nuk i ka patur përpara” -tha ajo për Live From Tirana.
Sindi shtoi se hyri në “Për’Puthen” për të përjetuar dashurinë e parë, flirtet e ëmbla dhe pse jo të gjejë një partner pasi dashurinë ende nuk e ka njohur dhe në këtë spektakël ka vendosur ta lërë veten të lirë.