Po shkon drejt normalizimit situata nga zjarri në malin Shën Gjergji në Dukat të Vlorës. Sipas informacioneve nga terreni, vatra që rrezikonte parkun kombëtar të Llogorasë është minimizuar ndjeshëm e në varësi të kushteve atmosferike, sot pritet që të shuhet totalisht.
Ndërkohë, në shpatin e malit të Dukatit ka një tjetër vatër aktive zjarri, që sipas zjarrfikësve të Vlorës është e menaxhueshme. Referuar informacioneve, për shkak se situata po shkon drejt përmirësimit, aty është ndalur operacioni nga ajri ku janë larguar dy helikopterët Couger që vepruan prej 6 ditësh në Dukat.
Gjithashtu janë larguar forcat e armatosura, për të vepruar në një tjetër vatër zjarri në rang qarku, në Delvinë. Në shpatin e malit Dukat po operojnë zjarrfikësit e Vlorës dhe shtabi i emergjencave civile. Po ashtu ka nisur monitorimi, pasi në varësi të erës mund të ketë rrezik për riaktivizim të zjarrit. Theksojmë se kjo është dita e 7-ë që vazhdon zjarri në Dukat pas riaktivizimit.
Dukati u dogj edhe më herët, për 10 ditë, por flakët u shuan për të rinisur në një tjetër javë kritike.
Prej disa ditësh, fshati Dishnicë në njësinë administrative Bulgarec, Bashkia Korçë, po përballet me situatë të rënduar nga vatrat e zjarrit që mbeten aktive. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pyje dhe shkurre, duke shkaktuar dëme serioze në mjedis.
Ndërhyrja për izolimin paraqet vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer malor, që pengon hyrjen e mjeteve zjarrfikëse në zonat më të përfshira nga flakët. Pavarësisht kësaj, operacioni në terren po vijon me angazhim maksimal.
Në ndihmë shkuan 87 forca në total, 45 efektivë të Forcave të Armatosura. Janë përdorur edhe 9 mjete zjarrfikëse e ndihmëse, ndërsa strukturat e emergjencës po koordinojnë veprimet për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Temperaturat e larta dhe era e fortë kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për izolimin e flakëve. Autoritetet vendore kanë kërkuar shtim të forcave në terren dhe vijojnë monitorimin nga afër të situatës, për të shmangur vatrat të përhapen. Deri tani janë djegur siperfaqe të mëdha.