Një zhvillim i papritur ka tronditur mediat turke, duke vënë në qendër të vëmendjes disa nga figurat më të njohura të televizionit dhe muzikës.
Në orët e para të mëngjesit, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor, i cili ka përfunduar me ndalimin e disa personazheve të famshëm.
Sipas burimeve zyrtare, aksioni është pjesë e një hetimi të thelluar, ndërsa të ndaluarit dyshohen për përfshirje në përdorimin e lëndëve të ndaluara. Ky operacion ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe është kthyer në lajmi kryesor i ditës në Turqi.
Në mesin e emrave të përfshirë spikat İbrahim Çelikkol, shumë i njohur edhe për publikun shqiptar falë roleve të tij në serialet turke.
Bashkë me të janë ndaluar edhe artistë të njohur si Simge Sağın, Melek Mosso, Mustafa Ceceli, Bengü, Ersay Üner, Deha Bilimler, Aslı Sipahi Hacısüleymanoğlu dhe İlkay Şencan.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se të gjithë të ndaluarit do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohen analizave të detajuara, përfshirë testin e fijeve të flokut, për të verifikuar në mënyrë shkencore përdorimin e mundshëm të substancave të ndaluara.
Vetëm pas përfundimit të këtyre ekzaminimeve, personazhet e njohur pritet të merren në pyetje për të dhënë dëshmitë e tyre zyrtare, ndërsa opinioni publik vijon të ndjekë me interes të madh zhvillimet e këtij rasti.