Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Studimi i ri paralajmëron për rrezikun e ushqimeve ultra të përpunuara? Si mund të ndikojnë në tru?

Edhe një rritje e vogël e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara mund të ketë pasoja për shëndetin e trurit. Ky është përfundimi i një studimi të ri të realizuar nga studiues të Universitetit Monash në Australi, i publikuar në revistën shkencore Alzheimer’s & Dementia: Diagnosis, Assessment & Disease Monitoring.

Sipas studiuesve, rritja me vetëm 10% e konsumit ditor të ushqimeve ultra të përpunuara lidhet me dobësim të vëmendjes dhe funksioneve njohëse, si edhe me një rrezik më të lartë për zhvillimin e demencës. Përveç kësaj, këto produkte janë shoqëruar edhe me më shumë se 30 pasoja të tjera të pafavorshme për shëndetin.

Çfarë do të thotë një rritje prej 10%?

Për ta bërë më të kuptueshëm ndikimin e këtij ndryshimi, studiuesit u bazuan në zakonet ushqimore të popullsisë australiane, ku u zhvillua kërkimi.

Ata llogaritën se një rritje prej rreth 150 gramësh ushqime ultra të përpunuara në ditë është e mjaftueshme për t’u lidhur me këto efekte.

Për t’i vendosur rezultatet tona në një kontekst më të kuptueshëm, një rritje prej 10 për qind e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara është afërsisht e barabartë me shtimin e një pakete standarde patatinash në ushqimin e përditshëm

-shpjegoi dr. Barbara Cardoso, autorja kryesore e studimit.

Çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara?

Studiuesit shpjegojnë se këto produkte dallojnë ndjeshëm nga ushqimet natyrale, si për mënyrën e prodhimit ashtu edhe për përbërjen e tyre.

Në këtë kategori përfshihen produkte si:

-patatinat e paketuara;

-makaronat instant;

-pijet energjike;

-ushqimet e gatshme të ngrira;

-produkte të tjera industriale me përmbajtje të lartë aditivësh.

Sipas studimit, këto ushqime janë “formulime industriale të përbëra nga përbërës të rafinuar dhe aditivë, me përmbajtje minimale të ushqimeve të plota.”

Shumica e tyre përmbajnë konservues, ëmbëltues artificialë, emulsifikues, ngjyrues, yndyra të përpunuara dhe përbërës të tjerë që përdoren për të zgjatur afatin e përdorimit ose për të përmirësuar shijen dhe pamjen.

Një nga gjetjet më interesante të studimit është se efektet negative të ushqimeve ultra të përpunuara nuk zhduken domosdoshmërisht edhe kur pjesa tjetër e dietës është e shëndetshme.

Pjesëmarrësit në studim ndiqnin kryesisht dietën mesdhetare, e cila konsiderohet një nga modelet më të shëndetshme të të ushqyerit dhe lidhet vazhdimisht me mbrojtjen e trurit dhe ruajtjen e funksioneve njohëse.

Megjithatë, studiuesit vunë re se edhe në këtë grup, një rritje e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara vazhdonte të shoqërohej me efekte të pafavorshme.

Autorët e studimit paralajmërojnë se konsumimi i këtyre produkteve është në rritje në mbarë botën.

Sipas të dhënave të cituara në studim, në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ushqimet ultra të përpunuara përbëjnë rreth gjysmën e kalorive totale që konsumon mesatarisht popullsia.

Studiuesit theksojnë se gjetjet e tyre forcojnë provat se kufizimi i këtyre produkteve mund të jetë një hap i rëndësishëm jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për ruajtjen e funksioneve të trurit dhe uljen e rrezikut për çrregullime njohëse në të ardhmen.