Rajoni

Sulmi ndaj KQZ-së në veri të Kosovës, dënohen 3 të akuzuar me 12 vjet burg!

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë serbët Milun Milenkoviç – Llunen, Aleksandar Vllajiç e Dejan Pantiç për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, në dhjetor të vitit 2022.

Milenkoviq – Llune dhe Vllajiç u dënuan me nga 5 vjet burg, ndërsa Pantiç me 2. Atyre do t’iu llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Ndërkaq u mbrojtën në liri Pantiç e Miomir Vakiç, i cili u lirua nga akuzat pasi nuk u vërtetua se ka kryer vepër penale.

Prokuroria e Kosovës ngriti akuza në dhjetor 2023 për veprën penale “Akt terrorist”. Ata akuzohen se sulmuan zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm u rrezikuan seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Milenkoviç e Vllajiç ndodhen në paraburgim, ndërsa Vakiç e Pantiç po mbrohen në liri.

Deklaratat përfundimtare të mbrojtjes u dhanë të premten, ku u theksua se pjesërisht, akuza bazohet në komunikime të përgjuara përmes aplikacionit Viber. Avokatët i mohuan akuzat ndaj klientëve të tyre.

Portali “Betimi për Drejtësi” që ndjek rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raportoi se avokati Lubomir Pantoviç deklaroi se të gjitha provat e përfshira mbështeten në raporte dhe dokumente policore, pa ndonjë përshkrim konkret të veprimeve të pretenduara të të akuzuarve.

Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut u hodhën dy mjete shpërthyese dhe njëri prej tyre shpërtheu. Për këtë rast, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, fillimisht u arrestua Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ky veprim nxiti krizë në veriun e vendit dhe vendosjen e barrikadave nga serbët që atje përbëjnë shumicën. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pasi një vendim gjyqësor e lejoi Pantiçin që të mund të qëndronte në arrest shtëpie.