Kryetari i Bashkisë së Harkivit, Igor Terekhov, njoftoi përmes Telegramit se një person u vra dhe 26 të tjerë u plagosën në sulmet e kryera nga Rusia në këtë qytet ukrainas.
Sipas informacioneve të para, sulmet në Harkiv u kryen me raketa balistike, të mbushura me municione thërrmuese, ndaj, zonat e goditura janë shumë të mëdha. 15 ndërtesa banimi pësuan dëme.
Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov, vuri në dukje se sulmet goditën “pjesët e banuara” të qytetit. Në Sumy, në afërsi të kufirit me Rusinë, forcat e Moskës përdorën dronët Shahed, që janë të prodhimit iranian. Nga sulmet u vra një person dhe u plagos një tjetër, siç raportoi administrata rajonale ushtarake përmes një postimi në Telegram.
Të dielën e kaluar, një sulm rus me raketa balistike vrau të paktën 35 persona në Sumy dhe la të plagosur më shumë se 100 të tjerë. Udhëheqësit botërorë e dënuan atë sulm, më vdekjeprurësi në Ukrainë prej fillimit të këtij viti dhe një nga sulmet më të rëndë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, mbi tre vjet më parë.
Sulmet ajrore janë përshkallëzuar pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e një armëpushimi. Një ditë më parë, zyrtarët amerikanë dhe europianë u takuan në Paris për të biseduar për luftën në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sërish kërkoi që të shtyhet përpara plani i paqes i paraqitur nga Uashingtoni, për të cilin presidenti Donald Trump po kërkon që të vihet në zbatim.
Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se Kina po furnizon me armë Federatën Ruse, përfshirë barut dhe artileri e se përfaqësues të shtetit kinez janë të përfshirë në prodhimin e armëve në territorin rus. Sipas tij, një informacion i tillë vjen nga raportime të shërbimeve të Sigurisë dhe Inteligjencës ukrainase.