Aktualitet

Tentojnë të djegin mbi 20 mjete të rënda në Akërni, shkrumbohet një fadromë!

Një ngjarje e rëndë u regjistrua gjatë natës, në zonën e hidrovorit të Akërnisë, në një zonë pyjore ku po kryhen punime me mjete të rënda.

Sipas informacioneve paraprake, persona ende të paidentifikuar hodhën benzinë në mbi 20 mjete të rënda që përdoren për punimet në këtë zonë e më pas iu vunë flakën.

Si pasojë e zjarrit, një mjet tip fadromë u përfshi plotësisht nga flakët duke u djegur totalisht. Në vendngjarje shkuan menjëherë forcat zjarrfikëse të Vlorës, që bënë të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve në mjetet e tjera të parkuara pranë.

Sipas dëshmitarëve, në momentin e ngjarjes roja i objektit ka qenë në vendroje, ndërsa autorët kanë vepruar shpejt duke hedhur lëndë djegëse e ndezur zjarrin.

Edhe pse benzina ishte hedhur mbi të gjitha mjetet e rënda, vetëm një fadromë u dogj plotësisht, ndërsa mjetet e tjera shpëtuan pa dëmtime serioze.

Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.