Policia e Vlorës ka dhënë njoftimin zyrtar të incidentit të regjistruar pasditen e sotme në pikën kufitare të Qafë-Botës, ku një 39-vjeçar theu traun e doganës me makinë dhe kaloi në territorin grek.
Sipas bluve të Vlorës, Gardjan Mirukaj nga Lezha është arrestuar në zonën e Igumenicës në territorin grek.
Nga kontrolli në makinën e tij, nuk është gjetur asnjë send i jashtëligjshëm.
Pasi theu traun dhe hyri në territorin grek, disa makina policie iu vunë nga pas për ta ndaluar në Igumenicë. Pavarësisht kësaj, 39-vjeçari tentoi të largohej duke përplasur një nga automjetet e policisë.
Njoftimi i Policisë:
Falë bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë dhe homologeve Greke, ndalohet drejtuesi i një automjeti, i cili nuk iu bind Policisë Kufitare Shqiptare dhe asaj Greke, duke kaluar në menyrë të jashtëligjshme pikën e kufirit në Qafë-Botë.
Ditën e sotme, në pikën kufitare Qafë-Botë, një automjet tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin Gardjan Mirukaj, 39 vjeç, banues në Lezhë, ka kaluar pikën kufitare duke mos iu bindur urdhrit të Policisë për të kryer kontrollin dhe verifikimin e dokumentacionit, duke kaluar në territorin Grek në menyrë të jashtëligjshme dhe duke mos iu bindur për ndalim dhe Policisë Greke.
Si rezultat i bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë Kufitare Sarandë falë dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, është bërë i mundur ndalimi i këtij shtetasi, në hyrje të Igumenicës, ku gjatë kontrollit të ushtruar në automjet nuk i është konstatuar asnjë send i jashtëligjshëm.
Nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë do të kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale.