Auto & Moto Bota

U lidh me energjinë elektrike, shpërthen Tesla/VIDEO!

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kanada, ku një adapter karikimi shpërtheu sapo një Tesla u lidh me energjinë elektrike. Shoferi po përpiqej ta karikonte makinën në një stacion publik jo të Teslas në British Columbia, duke përdorur një adapter të një marke tjetër.  Sapo e lidhi, ndodhi një shpërthim i fortë për shkak të një “lidhje të shkurtër”.

Për fat të mirë, shoferi ndodhej disa hapa larg dhe pësoi vetëm gërvishtje të lehta, ndërsa bashkëshortja e tij në makinë mbeti e palënduar. Hetimet zbuluan se adapterët nuk ishin të certifikuar për përdorim në Kanada, ndërsa karikuesi dërgoi tension “jonormal” që shkaktoi shpërthimin dhe e copëtoi adaptorin në disa pjesë.

Kreu i fabrikës gjermane të Tesla-s pranë Berlinit ka shprehur optimizëm për prodhimin, edhe pse tregu i makinave elektrike mbetet sfidues. Menaxheri André Thierig deklaroi se shitjet aktualisht janë të mira dhe se kompania ka rritur planet e prodhimit për tremujorin e tretë dhe të katërt. Sipas tij, Tesla furnizon mbi 30 tregje dhe tendenca mbetet pozitive, përtej atij gjerman.

Megjithatë, në Gjermani regjistrimet e makinave Tesla në gusht ranë me rreth 40% krahasuar me vitin e kaluar. Thierig paralajmëroi qeverinë që debatet për ndalimin e motorëve me djegie deri në vitin 2035 mund të dëmtojnë industrinë e makinave elektrike në lindje të vendit. Fabrika në Grünheide punëson rreth 11,000 persona, por planet e zgjerimit janë përkohësisht pezull për shkak të kushteve të tregut.