Rajoni

Albin Kurti nuk tërhiqet: Policët largohen kur të ikin bandat kriminale të Serbisë!

Për Prishtinën zyrtare, situata e tensionuar në veri të Kosovës është pasojë e grupeve të armatosura që shtiren si protestues, por në fakt janë banda kriminale të Serbisë. Kryeministri Albin Kurti përforcon qëndrimin e shprehur më herët gjatë ditës nga presidentja Vjosa Osmani, në samitin e komunitetit politik europian në Moldavi. Duke folur për gazetarët, Kurti tha:

Unë natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave në veri, atëherë kur të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilat e adhurojnë Millosheviçin e Putinin.

Ato, ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën.

Në kuadër të pranisë në Moldavi për samitin që kryefjalë ka dhe tensionet në veriun e Kosovës, presidenti serb, Aleksander Vuçiç takoi homologun e Francës, Emmanuel Macron. Ata diskutuan lidhur me hapat e mëtejshëm drejt ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon. Vuçiç u shpreh:

Kam shprehur shqetësimin tim për përshkallëzimin e fundit të dhunës në “Kosovë e Metohi” dhe e falënderova për qëndrimin e mbështetjen e vendosur ndaj Serbisë, në lidhje me zhvillimet e fundit në “Kosovë dhe Metohi”.

Një ditë më parë, shefi i Elizesë, Macron tha se bën përgjegjës autoritetet e Kosovës për tensionet në veriun e vendit, me shumicë serbe. Në Moldavi, Kosova dhe Serbia akuzuan njëra-tjetrën për atë që po ndodh në veri. Presidentja Osmani tha se “Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj, që synojnë destabilizimin e Kosovës, për t’i dhënë fund dhunës në veri të vendit”.

Presidenti serb, Vuçiç deklaroi se për të ulur tensionet, autoritetet e Kosovës duhet të tërheqin ata që i quajti “kryetarë të supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri.

Sërish, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u kërkoi drejtuesve të Kosovës e të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit europian. Gazetarëve në Oslo të Norvegjisë, Blinken iu tha:

Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës e të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shkruan se qytetarët serbë në komunat veriore janë të kushtëzuar që të dalin në protesta e organizime të drejtuara nga subjekti politik, Lista Serbe.

Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë.  Këto veprime duhet të ndalen, në mënyrë që qytetarët serbë të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime.