Health & Beauty Lifestyle

Arsyet kryesore të rënies së numrit të spermatozoideve tek meshkujt!

Së fundmi, një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh botoi disa kërkime që tregonin se numri i spermatozoidëve ishte përgjysmuar në mbarë botën në 50 vitet e fundit dhe se trendi po përshpejtohej. Natyrisht kjo ngjalli shqetësim. Rënia, paralajmëruan profesorët Hagai Levine dhe Shanna Swan, mund të bëhet një problem i madh i cili mund të ketë potencialin për të “kërcënuar” mbijetesën e njerëzimit.

Së fundmi, studiuesit në Universitetin Semmelweis në Hungari kanë gërmuar më thellë në gjetjet e afro 27,000 studimeve për të përcaktuar shkaqet më të mëdha të përkeqësimit të qelizave të spermës dhe kanë gjetur se ndotja, pirja e duhanit, mosha dhe disa kushte shëndetësore kanë efektin më të madh. Gjetjet e tyre u publikuan në revistën “Reproductive Biology and Endocrinology”.

Hulumtimi vjen mes shqetësimeve në rritje për rënien dramatike të kapacitetit riprodhues mashkullor. Hulumtimi i publikuar në fund të vitit të kaluar në revistën Human Reproduction Update tregoi se numri i spermatozoideve në mbarë botën është përgjysmuar gjatë pesë dekadave të fundit.

Profesor Hagai Levine, një nga studiuesit pas këtij studimi, e quajti atë një “kanarinë në një minierë qymyri”, duke shtuar se ne kemi një problem serioz në duart tona që, nëse nuk përmirësohet mund të kërcënojë mbijetesën e njerëzimit.

Një besim i zakonshëm thotë se për burrat ‘tik-taku’ i orës biologjike nuk ka rëndësi dhe ata mund të lindin një fëmijë në çdo kohë. Prandaj, më së shpeshti, janë gratë ato që mbajnë peshën kryesore të çështjeve të infertilitetit. Megjithatë, ekspertët thonë se me kalimin e moshës numri dhe cilësia e spermës bie dhe nga pikëpamja biologjike, edhe ata kanë një grup moshe që është më e përshtatshme për t’u bërë baba.