Celebrities Film & Tv

“Billions” Sezoni i 6, nuk ka më pikëpyetje, duhet parë! Kritikë.

Po duhet parë! Sidomos nëse keni qënë shikues/fans i serialit në sezonet e tij të shkuara. Më 17 Dhjetor të vitit të kaluar në përfundim të sezonit të (shumëpritur) pestë – Bobby Axelroad do ti linte shëndenë serialit që i dha aq shumë atij sa shikuesve të tij. Si fundi i një epoke, në kritikën e atij sezoni shkruaja: A do duhet ti japim një shans?!

Sot, muaj mbas daljes së sezonit të 6 e kam një përgjigje. Sepse ai që në një sens mori frerët e Axelroad – Mike Prince – arrin të zbythë me plot kuptimin djalin e keq të bilionerëve amerikanë, duke rinisur një lojë nga e para ma Chuck Rhoades, e cila në të shkuarën ka qënë argëtuese, po aq sa vazhdon të jetë. Kjo falë kimisë së jashtëzakonshme mes Corey Stoll (Prince) dhe Paul Giamatti (Rhoades) i cili arrin të gjejë kimi edhe me një patate, por kjo për të nënvijëzuar talentin e tij, jo për të ulur atë të kolegut në profesion dhe kundërshtarit në serial.

Fakti është që “Billions” mund të vazhdojë përgjithmonë, sa kohë ka njerëz që bëjnë fitime marramëndëse nga manipulimi i aseteve, rrëmbimi armiqësor i korporatave, mitmarrja, korrupsioni apo gjëra të tjera oligarkësh. Premisa e serialit është vendosur qysh herët – konflikti tek “Billions” nuk është mes dy personazhesh, por mes një njeriu dhe kauzës së tij. Chuck Rhoades – shtylla kurrizore e “Billions” – është kryqëzuesi i të gjithë klasës së oligarkëve amerikanë të cilët siç thotë ai vetëm marrin e marrin duke mos dhënë asnjëherë asgjë pa e vrarë mendjen për njeriun e ndershëm, një lloj Komisar Katani moral. E vetmja gjë që ndryshon në sezonin e ri, i cili për shkak se u prodhua me ritme të shpejta, ndryshe nga i mëparshmi që u prek nga pandemia, është fokusi i Rhoades nga Axelroad tek Mike Prince.

Në fillimin e tij sezoni i 6 nis larg Manhattanit, me Chuck në luftë me një ‘armik’ të çuditshëm, e të parëndësishëm, larg Prince. Kjo zgjat pak. Dinamikat e dikurshme të luftës së demave rishfaqen shpejt, brenda episodit të parë duke i shtruar rrugën një fillimi të ri që çuditërisht tingëllon i freskët dhe i palodhur.

“Billions” në herën e tij të gjashtë përqëndrohet tek rruga e duhur për thuajse të gjithë personazhet e tij. Chuck, mundohet të mos implikojë konflikte që kërkojnë zgjidhje gangsterrësh, mënyra e preferuar e të atit (Jeffrey DeMunn). Personazhi i cili zemërthyerjen më të madhe, gjatë gjithë historisë së tij në film,pati humbjen e veprave të Winston Churchill, botimi origjinal, mundohet të jetë zëri i arsyes dhe së drejtës. Larg strategjive të pamoralshme të së shkuarës, në një histori televizive ku e ke shumë të vështirë të ndash të mirin nga i keqi, Chuck, kësaj rradhe, është i vendosur të jetë i miri duke përdorur çdo instrument të rrugëve ligjore… deri diku pa makinacione.

Shkëmbimi i Axe me Prince është dallimi kryesor i sezonit. Ky i fundit sjell ngjyra të munguara në zyrë e Axe Capital.

“Dikur punonim për një ‘vrasës’ – tani punojmë për dikë që do të dijë se si ndihemi.

Po aq personazhet shihen në një dritë tjetër. Wendy (Maggie Siff), për shembull, duke mos qënë më e zënë ngushtë mes Chuck dhe Axe, si edhe me ndjenjat e shkuara për ish shefin e saj, shkëlqen në punën e saj të pavarur tashmë nga askush. Ben Kim (Daniel K. Isaac) gjithashtu ka një rol më të madh në zyrat e Michael Prince Capital. Ndërkaq Taylor Mason (Asia Kate Dillon), janë ende duke u përpjekur të gjejnë vendin e tyre në kompani duke lëvizur mes rregullave të vjetra të lojës dhe realitetit të ri. Bashkë me Rian (Eva Victor) Mason zbulojnë se Prince Capital është një tjetër gjë nga ç’ishin mësuar – rrjedhimisht “Billions” ka një klimë tjetër nga ajo me të cilën ne ishim mësuar.

Klima mund të jetë e re, por kurthet tingëllojnë familjare. Me referenca të vazhdueshme të perandorisë romake, filmave të vjetër të animuar apo personazheve të basketbollit të kolegjeve, lufta mes të ‘mirës’ dhe të ‘keqes’ vazhdon me po të njëjtën hidhësi dhe na lë sërish në cep të kolltukut sepse është e vështirë të kuptosh se kush do t’ja dalë të fitojë betejën e rradhës deri në momentin e fundit.

Me një trupë aktorësh që prej vitesh veshin rrobat e të njëjtit rol, seriali ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme, edhe kur në mënyrë të çuditshme futen në të aktorë VIP-a të tjerë, të cilët dallojnë prej atyrë të shtëpisë dhe ngjajnë pak të çuditshëm, por mbas pesë sezonesh edhe kjo është normalizuar. Skenaristët e “Billions” gjithmonë kanë marrë në dorë liritë e tyre duke krijuar vazhdimisht shtresa të reja të panjohura të atyre që tashmë na duken si njerëz të familjes – siç ndodh në raportin mes Wags dhe krahut të djathtë të Prince – Scooter Dunbar (Daniel Breaker), apo Kate Sacker (Condola Rashad), e cila pas vitesh të qënit një personazh tretësor, më në fund, kësaj here, merr vendin që i takon.

“Billions” vazhdon të jetë, edhe pas ndryshimeve madhore – një nga serialet më të mira që televizioni amerikan ka për të ofruar, edhe në sezonin e tij të 6, i cili erdhi muaj mbas daljes së të pestit, i vonuar prej pandemisë. Seriali nuk ka ndërmend të pushojë. Në shkurt të këtij viti Showtime rinovoi kontratën për një sezon të shtatë, dhe edhe pse nuk ka një datë zyrtare, parshikohet të dalë drejt mesit të vitit të ardhshëm. Sa i përket episodeve, gjithmonë “Billions” ka patur 12 syresh, ndaj gjasat janë të mos ndryshojë gjë në këtë drejtim. Pas 70 episodeve, aktorët që do të kthehen janë pak a shumë të njëjtët, edhe pse krijuesit Brian Koppelman dhe David Levien kthejnë herë pas here ata figura që janë lënë në hije ca kohë, mos prisni të shikoni kthimin e Axe (Damien Lewis), kjo, të paktën për momentin, nuk do të ndodhë. Sidoqoftë kjo nuk është aspak arsye për të menduar që “Billions” nuk është ende, i vlefshëm miliona, në mos miliarda.

“Billions” sezoni i 6 (dhe të gjitha sezonet e tjera) është në Showtime.