Bota

Bombardime të forta në rajonin e Zaporizhzhias, Rusia ashpërson sulmet në disa qytete, viktima

Moska po rigrupon trupat e saj dhe po forcon artilerinë dhe njësitë e mbrojtjes ajrore në zonat e Zaporizhzhia, Kryvyi Rih dhe Mykolaiv. Kështu njofton ushtria ukrainase, duke shtuar se në orët e fundit rusët kanë bombarduar rëndë qytetet Tokmak dhe Berdyansk, në rajonin e Zaporizhzhia.

Nga ana e saj, Administrata Rajonale Ushtarake e Zaporizhzhisë ka njoftuar se Moska po përpiqet të krijojë një rrjet mbështetjeje logjistike për trupat e saj.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba thotë se evakuimi i civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit mbetet “shumë i brishtë” ndërsa grupi i parë i civilëve ia doli të largohej nga fabrika e çelikut Azovstal.

Kuleba u tha gazetarëve në Kiev se nga momenti në moment gjërat mund të shkojnë keq ndaj dhe është më mirë të pritet derisa të përfundojë evakuimi.

Ndërkohë civilët e parë që u evakuuan nga fabrika mbërritën në Zaporizhia, një qytet nën kontrollin e Kievit.

Zyrtarët thotë se qindra civilë janë bllokuar brenda uzinës Azovstal së bashku me disa qindra luftëtarë ukrainas. Disa dhjetra arritën të largohen të dielën në një evakuim të organizuar nga Kombet e Bashkuara, grupi i pari i atyre që shpëtuan që kur Vladimir Putini urdhëroi rrethimin e fabrikës javën e kaluar.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha në një video-mesazh se më shumë se 100 civilë ishin larguan në 24 orë.

Me rënien nën kontrollin e forcave ruse të pjesës tjetër të Mariupolit, qindra civilë dhe rreth 2000 trupa ukrainase, janë ngujuar në fabrikën e çelikut Azovstal. Përpjekjet e shumta të mëparshme për të evakuuar civilët dështuan dhe Ukraina akuzoi Rusinë për bombardimin e rrugëve të evakuimit.

“Për herë të parë, kishte dy ditë armëpushim të vërtetë në këtë territor”, tha presidenti Zelenskyy.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, e cilësoi situatën në Azovstal “një katastrofë të vërtetë humanitare” me njerëzit që përballen me mungesë të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.

Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kryen evakuimet e së dielës, duke e quajtur atë një “operacion kalimi të sigurt”.

Rreth 100,000 civilë të tjerë ukrainas mund të jenë ende në Mariupol, i ckili shtrihet në bregun verior të Detit Azov, pas një fushate dymujore bombardimesh që e kanë rrafshuar atë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila së bashku me gjashtë ligjvënës të tjerë demokratë zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar të shtunën në Kiev për t’u takuar me presidentin Zelenskyy, po zhvillon bisedime të hënën në Poloni me presidentin Andrzej Duda, ndërsa premton mbështetje për aleatët e NATO-s në përpjekjet e tyre për të mbështetur Ukrainën.

Sipas Kombeve të Bashkuara rreth 5.5 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina që kur Rusia sulmoi vendin në fund të shkurtit. Më shumë se 3 milionë prej tyre janë vendosur në Poloni. Rumania zë vendin e dytë me më shumë se 800,000 refugjatë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se zonja e parë Jill Biden, do të fillojë një udhëtim të enjten në Rumani dhe Sllovaki, që do të përfshijë takime me ukrainasit e zhvendosur pas agresionit rus. Zonja Biden do të takohet gjithashtu me punonjësit e ndihmës, familjet lokale që mbështesin refugjatët ukrainas dhe edukatorët që po ndihmojnë fëmijët ukrainas të vazhdojnë shkollimin.