Bota

Epidemia e gripit të shpendëve, ngordhin mijëra luanë të detit!

Një sëmundje e re e shkaktuar nga plastika është zbuluar te shpendët e detit. Shkencëtarët në Muzeun e Historisë Natyrore të Londrës, raportojnë se zogjtë e identifikuar vuajnë nga një sëmundje e quajtur “plastikoza”. Ata kanë plagë në sistemin e tyre tretës nga gëlltitja e mbeturinave. Kjo është fibroza e parë e regjistruar e shkaktuar nga plastika në jetën e egër.

Ndërkaq, së fundmi mijëra luanë të detit dhe zogj kanë ngordhur nga epidemia e gripit të shpendëve që preku Perunë. Sipas lajmit të CNN, Shërbimi Shtetëror i Zonave Kombëtare të Mbrojtura në Peru njoftoi se gripi i shpendëve, i njohur gjithashtu si H5N1, është përhapur te një numër i madh speciesh në vend.

SERNAP njofton se 63 mijë zogj u asgjësuan që nga fundi i nëntorit 2022, kur u paraqit rasti i parë epidemik tek shpendët. Autoritetet deri më tani kanë identifikuar 3.487 luanë të detit që kanë ngordhur në brigjet e Perusë për shkak të gripit të shpendëve ose 3% e specieve të tyre. Gjithashtu, janë regjistruar edhe 5 ngordhje të fokave me gëzof për shkak të gripit të shpendëve.

Gripi i shpendëve shkakton ngordhjen e shumë shpendëve dhe gjitarëve në SHBA. Që nga fundi i vitit 2022, shkencëtarët kanë raportuar raste të virusit të gripit të shpendëve në më shumë se 100 lloje shpendësh, përfshirë rosat, pulëbardhat, patat, skifterët dhe bufat në SHBA. Përveç kësaj, raste të gripit të shpendëve në SHBA u regjistruan edhe te gjitarët si arinjtë, dhelprat, rrëqebulli, rakunët dhe delfinët.