Sport

Festa e “çmendur” e Italisë pas finales, dhomat e zhveshjes një ‘fushë beteje’…

Italia është shpallur kampion Evrope, duke mposhtur Anglinë në finalen e “Euro 2020”. Normalisht ky ka qenë rasti perfekt që lojtarët e ekipit të festonin, ashtu siç ju kishte hije. Dhomat e zhveshjes së Italisë, janë përshkruar nga mediat angleze si ‘fushë betejë’.

Përplasja në stadiumin Wembley shkoi deri në penallti pasi të dy ekipet barazuan 1-1 pas 90 minutash dhe kohës shtesë. Në penalltinë e fundit përfundoi gjithçka, kur Bukayo Saka huqi përballë Gianluigi Donnarummaas.

Ndërkaq, në fotografitë e publikuara nga dhomat e zhveshjes së ekipit të Italisë, shihet që fituesit e turneut ishin larguar pasi kishin mbyllur festën, duke mos e pastruar hapësirën.

Aty kishte shishe birre, shishe vere dhe shampanjë kudo. Çorape, pantallona të shkurtra dhe peshqirë u lanë në dysheme.

Gazeta gjermane “Bild” e përshkroi skenën të ngjashme me një ‘fushë beteje’. Ndërkohë, në dhomën e zhveshjes së finalistëve të tjetër, atyre të Anglisë, ishte ndryshe.

Rikujtojmë, se UEFA ka nisur procedurë disiplinore për ngjarjet rreth finales së “Euro 2020”, duke përfshirë edhe veprimet e tifozëve të Anglisë brenda dhe rreth stadiumit “Wembley”. Tifozët janë rrahur me pjesëtarët e sigurimit dhe policët, ndërsa janë përpjekur të hyjnë brenda stadiumit ditën e ndeshjes.

Ndërkaq, nga Argjentina ka ardhur një propozim provokues, nisur nga gazeta ‘Olè’, që gjithashtu mund të mirëpritet nga të dy federatat e futbollit të vendeve respektive: një ndeshje miqësore mes fituesve të Copa America, Argjentinës dhe atyre të “Euro 2020”, Italisë, për trofeun “Superkupa Maradona” në nder të El Pibe de Oro, i cili ndërroi jetë më 25 nëntor 2020.