Music

Gjithçka që duhet të dini rreth performancës së The Weeknd në “Super Bowl Half Time Show”

Ai mund të mos ketë marrë asnjë nominim në ceremoninë e sivjetshme të çmimeve “Grammy” por ama rrëmbeu zemrat e të gjithëve dhe u shfaq më spektakolar se kurrë në “Super Bowl Half Time Show”. Sigurisht që bëhet fjalë për “The Weeknd” i cili dukej se bëri një prezantim vizual të albumit të tij “After Hours”.

Artisti kanadez ishte i pari në 55 vite që e dha të gjithë performancën në skenë pa prekur për asnjë moment fushën e blertë. Kjo për shkak të rregullave strikte anti-COVID që limtuan shfaqjen e madhe në disa aspekte. Nga një kapacitet prej 50 mijë njerëzish që mban ky stadium, magjinë e “Super Bowl” e prekën vetëm 22 mijë veta, 7500 prej të cilëve ishin punonjës të shëndetit, të gjithë të vaksinuar, kjo për të minimizuar mundësinë e infektimit. Pjesa tjetër përbëhej nga postera njerëzish të printuar e të prerë që do të mbushnin stadiumin.

Le të kthehemi tek ylli i mbrëmjes, The Weeknd. Këngëtari e shfrytëzoi në maksimum kohën e tij duke dhënë të gjithë energjinë e mundshme. Një pjesë të kërcimtarëve e kishin lidhur kokën me fasha të mëdha ashtu siç shfaqet ai në albumin e ri duke simbolizuar një burrë të vrarë shpirtërisht në një natë me ngjarje të pazakonta. Në total The Weeknd këndoi 8 nga hitet e tij ku përfshihen: “Call out My Name”, “Starboy”, “The Hills”, “Can’t Feel My Face”, “I Feel it Coming”, “Save Your Tears”, “Earned it”, “House of Balloons” dhe “Blinding Lights”.