Aktualitet Fol

Historia tronditëse e aksidentit të Ylber Dodës ku 28 vite më parë jeta i ndryshoi katërcipërisht!

Në episodin e tretë të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio fokusi ka qenë tek historitë e disa qytetarëve në lidhje me rrezikun që kanë përjetuar për shkak të aksidenteve rrugore. Drejtoria e shërbimeve të transportit rrugor pranon se 55 përqind e aksidenteve ndodhin në rrugët urbane kryesore dhe dytësore. Pranohet gjithashtu se 27 përqind e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të faktorit mjedisor dhe 8 përqind për shkak të defekteve në makinë.

Pjesë e shkëputur nga podcast-i:

Një histori që na tregon vitalitetin dhe forcën e një njeriu që mbas një aksidenti kur jeta i ndryshoi katërcipërisht, ai vazhdoi një luftë tjetër. Luftën për të drejtat e tij. Do të bisedojmë me Ylber Dodën, i cili 28 vite më parë nga një aksident automobilistik në Klos mbeti i gjymtuar.

Anila Hoxha: A mund të na thuash kur të  ka ndodhur aksidenti?

Ylber Doda: Në 1995.

Anila Hoxha: Sa vjeç ishe?

Ylber Doda: 25 vjeç.

Anila Hoxha: Ishe ti drejtues automjeti apo ishe pasagjer?

Ylber Doda: Isha unë drejtues automjeti.

Anila Hoxha: Ishe vetëm?

Ylber Doda: Jo, isha me shokë, bashkëfshatarë të mitë, komshinj të mitë. Ishim 7-8 veta në makinë. Ishim në Klos po ktheheshim në shtëpi.

Anila Hoxha: Vetëm ju mbetët i dëmtuar nga aksidenti?

Ylber Doda: Po, të tjerët fatmirësisht pa probleme.

Anila Hoxha: Çfarë ndodhi atë ditë?

Ylber Doda: I kthehem por nuk dua ta kujtoj. Ishte fatkeqësi.

Anila Hoxha: Ku u përmende? Në cilin spital?

Ylber Doda: Në Burrel.

Anila Hoxha: Sa qëndrove në spital?

Ylber Doda: Kam qëndruar gjatë  Mbi një muaj mesa më kujtohet. Situata u kuptua se nuk lëvizja. Nuk kisha ndjeshmëri në gjymtyrët e poshtme.

 Anila Hoxha: I pyete doktorët?

Ylber Doda: Nuk më morën përsipër. I dëgjoja kur flisnin në dhomë, që mblidheshin bënin konsulta dhe në praninë time.

Anila Hoxha: Çfarë të thoshin?

Ylber Doda: Duhet ta përballosh edhe jetën edhe me këto ndryshime.

Anila Hoxha: Dole nga spitali. Cila ishte vështirësia jote e parë?

Ylber Doda: Mosrehabilimi me realitetin, të gjitha në çdo aspekt. Të jesh i pamundur të komandosh veten,  gjithçka është e përmbysur.

Anila Hoxha: Të sollën në karrocë në ato moment? Apo fillimisht të morën në krahë?

Ylber Doda: Për të qenë të sinqertë, ma kanë dhënë një karrocë, gjysëm të prishur aty tek spitali. Kam dalë në krahë nga dhoma deri  para spitalit. Aty më kanë sjellë një ambulancë. Pastaj kam ndenjtur disa kohë shtrirë në shtëpi, pa dalë, pa lëvizur me këto kushte.

Anila Hoxha: Si ia dhe këtë fuqi vetes?

Ylber Doda: Fillova të dilja , përqark shtëpisë. Pjesën tjetër e kisha me çik siklet.

Anila Hoxha: Sa zgjati kjo situatë që ti nuk pajtoheshe me gjendjen tënde?

Ylber Doda: Disa vite, më kanë ardhur më kanë vizituar mjekë të fushës, miq të familjes, miq të mitë. Normalisht duhet t’i japësh kurajo vetes, duhet të përballosh realitetin, nga një njeri normal të kalosh në këtë gjendje të tillë është me plot kuptimin e fjalës një dramë.