Film & Tv

“House of Gucci” me protagoniste Lady Gaga, zbulohen posterat e traileri i parë!

Zbulohet i pari “teaser trailer” dhe posterat e protagonistëve të “House of Gucci”. Filmi i regjisorit Ridley Scott që rrëfen historinë e lidhur me vrasjen e Maurizio Gucci-t tashmë ka edhe datën e daljes në kinema, më 24 nëntor 2021.

Protagoniste kryesore Lady Gaga në rolin e Patrizia Reggiani-t dhe në krye të një kasti aktorësh të njohur si Adam Driver, Jared Leto, Al Pacino e Jeremy Irons.

Të shumtë shpresonin që filmin e shumëpritur ta shihnin të prezantuar në Festivalin e Venecias, në shtator por jo! Për momentin gëzojuni trailer-it dhe prisni nëntorin kur “The House of Gucci” të shfaqet fillimisht në sallat e kinemave amerikane.

“House of Gucci” bazohet në librin me të njëjtin emër të Sara Gay Forden: “The House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madness, Glamour and Greed”. Aty trajtohet vrasja e presidentit të shtëpisë së modës Gucci, një krim i organizuar nga bashkëshortja Patrizia Reggiani në vitin 1995, pasi ai e braktisi për një grua më të re.

Reggiani u arrestua në ’97-ën dhe u dënua në ’98-ën si porositësja e vrasjes. Gjatë procesit u identifikua si “Vejusha e Zezë”.

Xhirimet për filmin nisën në shkurt të këtij viti në disa qytete të Italisë si Romë, Milano, Venecia, Firence e në Lago di Komo. Në trailerin online prezantohen protagonistët e historisë e botës luksoze në të cilën lëvizin: tensione, skandale e tradhëti me pasoja vdekjeprurëse.

Realizimi kinematografik nuk u prit mirë nga përfaqësues të familjes Gucci që folën për vjedhje të identitetit për qëllime përfitimi, që siç u shprehën “të rriten fitimet e sistemit hollivudian”.