Rajoni

Kancelari gjerman Scholz letër Shkupit: Pranoni propozimin francez!

Përmes një letre drejtuar autoriteteve dhe qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje që të pranohet propozimi francez që i hap rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nisur nga trajtimi jo i ndarë që Unioni i bën Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, bashkë me Shkupin, nga hapja e bisedimeve do të përfitonte edhe Tirana. Kryeministri Rama është mes zërave që i kërkojnë Maqedonisë së Veriut, të pranojë propozimin e Parisit, që zgjidh mosmarrëveshjet me Bullgarinë për çështje të karakterit historik.

Letra e plotë e Olaf Scholz:

Vendi juaj është përballur edhe një herë me marrjen e një vendimi shumë të rëndësishëm: A doni të pranoni kompromisin europian? Kështu, 17 vjet pas dhënies së statusit kandidat për anëtarësim në BE, më në fund mund të mbahet konferenca për hapjen e negociatave për anëtarësim. Do të jetë një hap i rëndësishëm që do t’ju sjellë më pranë anëtarësimit në BE dhe do të kapërceni ngërçin.

Unë e kuptoj padurimin dhe zhgënjimin tuaj. Dhe më shumë se kaq: i ndaj me ju!

Ju kuptoj kur thoni: Ishte shumë e gjatë dhe na u premtua shumë. Ajo që kërkohej prej nesh ishte e tepërt. Unë e kuptoj dyshimin tuaj nëse ky hap do të hapë vërtetë rrugën për hyrjen në BE.

Dua të jem plotësisht i sinqertë me ju: edhe pas pranimit të këtij kompromisi, procesi i anëtarësimit në BE nuk do të jetë i lehtë. Do të ketë pengesa të tjera që do të duhet të kapërcehen. Por unë ju them gjithashtu: Së bashku do të përmbushim detyrat që na presin.

Sepse ne duam që ju të jeni anëtar të këtij Bashkimi Europian!

Të gjithë e dimë se kompromiset ndonjëherë nënkuptojnë lëshime të dhimbshme. Bashkimi Europian përbëhet nga kompromise, dita-ditës. Por, jam plotësisht i bindur se edhe kompromise të vështira, në fund na çojnë gjithmonë përpara dhe na bëjnë më të fortë. Ne jemi dhe do të mbetemi në anën tuaj!