Aktualitet

Masa e sigurisë për përbindëshin e Fierit, tensione në gjykatë/Familjarët thyejnë xhamat e derës!

Tensione në Gjykatën e Fierit ku sot pritet të jepet masa e sigurisë për Klodian Çalamanin, i cili dy ditë më parë vrau në mënyrë barbare, Mateo Vasiun, në fshatin Grecalli. Familjarët e 8-vjeçarit kërkojnë që me çdo kusht të jenë të pranishëm në seancën e parashikuar të fillojë në orën 10:30, një shtyrje me 30 minuta pasi më parë u caktua ora 10:00. Të shumtë në numër, vërshuan duke thyer derën e jashtme të godinës së gjykatës, me synimin për të hyrë në sallën e gjyqit. Policia tentoi t’i ndalte e më pas ndërhyri për t’i nxjerrë jashtë. Për ta nuk ka dyshime, autori duhet të dënohet me vdekje!

Nuk kanë munguar debatet me efektivët:

Nuk na lini në gjykatë, nuk na lini që të ndezim një qiri te vendi, çfarë drejtësie është kjo?

Mes familjarëve ishte edhe Florida, nëna e Mateos, e cila mes lotësh dëgjohej teksa thërriste:

Qen, ma masakrove djalin! Çuni më vdiq, ma vrau!

Familjarët dyshojnë se 38-vjeçari gjendet në sallë e sipas tyre mund të jetë shfrytëzuar një hyrje sekrete për ta futur brenda. Jashtë gjykatës Fier, sa vijnë e shtohen njerëzit, pasi në mbështetje të familjarëve kanë shkuar qytetarë. Përballë tyre ka një prani të shtuar të forcave policore.