Bota Tech

Mungesa e fuqisë punëtore sjell rritjen e kërkesës për blerje të robotëve në SHBA!

Punëdhënësit në vende të ndryshme të botës po kërkojnë mënyra të ndryshme për të mbuluar mungesat e fuqisë punëtore dhe shumë prej tyre gjithnjë e më shumë po shkojnë në drejtim të asistencës së teknologjisë së automatizuar dhe robotëve. Orientimi drejt teknologjisë së automatizuar nuk është ndonjë gjë e re dhe kjo lloj teknologjie është një fenomen shpëtues për shumë kompani të cilat nuk arrijnë objektivat me fuqinë punëtore, thuhet në një raport të ‘Wall Street Journal’.

Porositë për blerjen e robotëve janë rritur për 40% në katër muajt e parë të vitit 2022, ndërsa në vitin 2021 kishte rritje për 21%, duke u bazuar në deklaratat e Shoqatës për Avancimin e Automatizimit, kërkesa këto të cilat industrinë e robotikës e ngritin në një vlerë prej 1,6 miliard dollarë.

“Udhëheqësit e kompanive duan që të largojnë fuqinë punëtore njerëzore”,-ka thënë për ‘Bloomberg’ nëntorin e kaluar David Zapico, drejtori ekzekutiv i ‘Amatek Ink’, duke bërë të ditur se kompania e prodhimit të pajisjeve automatike ka “ndezur të gjitha turbinat” në mënyrë që t’i përmbushin kërkesat e klientëve.

Robotët po ofrojnë një zgjidhje të përkohshme për bizneset të cilat po përballen me punësim në tregun më të vogël të punës që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, treg i goditur nga pandemia, shkalla më e lartë e dorëheqjeve nga puna dhe çrregullimi i madh i ekonomisë. Gjatë muajit mars, në SHBA vendet e lira të punës arritën shifra rekorde, me 11,5 vende pune të lira, ndërsa ekspertët kanë parashikuar se kriza e fuqisë punëtore do të mund të zgjasë për disa vite.

Një punëtor i ri ka disa muaj që punon në kantierin e terminalit të ri të aeroportit të San Franciskos dhe quhet ”Canvas”. Ai është një robot i sofistikuar i aftë të vendosë mure kartoni gipsi me të njëjtën aftësi si mjeshtri më i mirë. Makina ka përmasat e një lavatriçe të madhe dhe është e pajisur me një krah të gjatë mekanik me të cilin manipulon veglat e ndryshme. Një sistem vizioni me lazer i lejon robotit të identifikojë saktë zonat në të cilat duhet të ndërhyjë dhe të montojë kartonin e gipsit në pozicionet e duhura.