Aktualitet Bota Travel

Nga 16 maji, BE-ja i jep stop detyrimit për maska në avionë!

Duke filluar nga e hëna e javës së ardhshme, data 16 maj, Bashkimi Europian nuk do të kërkojë më mbajtjen e maskave në aeroporte dhe avionë. Ky është një tjetër zhvillim, që vjen në kohën kur masat kundër koronavirusit po vijojnë të lehtësohen në mbarë Bllokun europian.

Agjencia e Bashkimit Europian për Sigurinë e Aviacionit deklaroi sot se “ky vendim i përbashkët, i marrë në bashkëpunim me Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve do të shënojë një hap të madh drejt normalizimit të udhëtimit ajror për pasagjerët e punonjësit”.

Në një deklaratë të përbashkët të dy agjencive, theksohet:

Udhëzuesi i ri merr për bazë zhvillimet e fundit të lidhura me pandeminë, krahas niveleve të vaksinimit dhe krijimit të imunitetit natyral për ata që e kanë kaluar COVID-in.

Po ashtu, shoqërohet me heqjen e kufizimeve nga një numër në rritje i shteteve europiane. Presidenti i Agjencisë së BE-së për Sigurinë në Aviacion, Patrick Ky nënvizoi:

Megjithatë, udhëtarët duhet të sillen me përgjegjësi e të respektojnë zgjedhjet e pasagjerëve të tjerë! Dhe nëse një pasagjer teshtin apo kollitet, atij duhet që t’i sugjerohet të mbajë maskë, për të mbrojtur personat e tjerë të ulur pranë.

Ndërsa këto rekomandime do të hyjnë në fuqi më 16 maj, rregulli për mbajtjen e maskave ende mund të jetë në varësi të vendimeve të kompanive ajrore, të cilat kryejnë fluturimeve drejt vendeve të ndryshme, ku mund të ketë rregulla po të ndryshme sa i përket përpjekjeve mbi mbajtjen nën kontroll të pandemisë COVID-19.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Andrea Ammon, tha se “larja e duarve e respektimi apo ruajtja e distancës fizike duhet të vazhdojnë ende të praktikohen”. Por gjithashtu, operatorët ajrorë këshillohen të mos vendosin masa të distancimit fizik, nëse vendime të tilla shkaktojnë pengesa duke i krijuar vështirësi në operimin e përditshëm.