Blu uji, e verdhë neon, lejla rrushi, portokalli ndërthurur me rozën neon, kamosh gri e dizajn leopard i përzier me të bardhë dhe flori. Mos mendoni se këto janë thjesht përshkrime të makthit më të keq të një minimalisti, jo! Janë kombinimet e reja të ngjyrave nga Adidas, Reebok e New Balance. Shokuese!
Në epokën e “kulturës së atleteve” ku gara për të realizuar llojin më të rrallë e të dëshiruar është intensive, si kurrë më parë, këpuca që përplas nuancat me forcën më të madhe, “ndalon trafikun”, të paktën atë online.
Kompanitë prodhuese po bëhen gjithnjë e më entuziastë për artin e vjetër: teorinë e ngjyrës. Lidhjet mes ngjyrës dhe emocioneve janë studiuar prej shekujsh që nga psikiatri zviceran Carl Jung e deri te prodhuesit farmaceutikë që i ndajnë ilaçet me ngjyra.
Te New Balance dominon ngjyra gri dhe realizimi i saj në mënyrën e duhur e bën krenare kompaninë. Jenny Rose nga New Balance:
70-90% e gjykimit mbi një produkt bëhet në pak sekonda, bazuar vetëm te ngjyra. Mund të na nxisë ose të na qetësojë, të na rrisë presionin e gjakut. Ngjyra është vërtetë e fuqishme!
Nike Air Force 1 ishte atletja më e shitur e vitit 2020.
Ndërkohë të mos harrojmë, në botën e modës, edhe ngjyra është firma jote! Fendi është i verdhë, Hermès portokalli, Tiffany blu.
Në anën tjetër qëndron Nike me neonin e ndezur Volt, që fillimisht u prezantua në Lojërat Olimpike të 2012-ës. Një zgjedhje intelektuale e shkencore për Nike-un.
Gjëja e parë që të kapin sytë është ngjyra e ndezur si dhe një sinjal rreziku. Diçka fiziologjike ndodh kur e sheh.
Përtej asaj që duket, ne të gjithë kemi marrëdhënie personale komplekse me ngjyrat në atlete. Për disa, duken interesante, për të tjerë, rrëmujë ose thjesht të bukura!
Pas një viti të jetuar thuajse virtualisht, ngjyra të vendosura pranë njëra tjetrës krijojnë imazhe të panjohura më parë dhe kombinime komplekse.
Te Puma thonë se po marrin reagime pozitive nga përzierja e pasteleve dhe të verdhës së fortë e këto interpretohen si gjëra që flasin për energji e pozitivitet. Ndërkaq, Puma ka shkuar edhe më tej! Puma Mirage Tech përfaqësojnë një remix, lidhen me kulturën e muzikës elektronike. Disko!
Energjia e re është kudo! Yeezy Boost 700 Sun që u prezantua në janar duket vite dritë larg bezhës së lidhur me Jeezy-n.