Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

Paragjykimi që u bëhet nënave në karrierë, Sara Karaj në TAR tregon sa e “sulmuar” ka qenë!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio vlogerja e njohur Sara Karaj për të dhënë një opinion të sajin në lidhje me deklaratën e fundit të bërë nga blogerja e njohur Chiara Ferragni sa i përket paragjykimit që u bëhet nënave që janë afër familjes por njëkohësisht zhvillojnë edhe karrierën e tyre.

Si e gjykon Sara këtë duke nisur nga eksperienca e saj:

Unë nuk krahasohem me jetën e vrullshme që Chiara Ferragni bën por në përgjithësi unë kam zgjedhur t’i bëj të gjitha gjërat vet. Jam gjykuar që kam ikur në pushime pa djalin, që jam kthyer në punë pas spitalit, normalisht që koha duhet të jetë e reduktuar sepse fëmija ka më shumë nevojë për ty por nëse arrin t’i ndash gjërat me bashkëshortin gjërat janë më të lehta. Mendoj se ka të bëjë më mënyrën si ne jemi rritur. Duke qenë se ne në Shqipëri jemi popull më i vogël dhe janë pak personazhe publike që publikojnë çdo gjë të jetës së tyre, njerëzit mendojnë se kanë të drejtën t’i gjykojnë. Unë e kam bërë për të inspiruar jo për t’u gjykuar. 

A paragjykohen gratë në karrierë?

Unë e shikoj paragjykimin që ne marrim kudo. E shoh në spital, në jetën e përditshme, e shikoj në dyqan, etj. Kudo arritjet e çdo gruaje mendohet se vinë nga një person tjetër. Unë personalisht në marrëdhënien me partnerin tim Dartin, e shoh që ai e vuan këtë gjë sepse unë e vuaj. Unë nuk e përceptoj dot që gratë mendojnë që burrat i ndihmojnë, burrat bëjnë atë që duhet të bëjnë për fëmijën e tyre. Pse duhet të jetë kaq e çuditshme kur ai të thotë: ‘Sot dil ti se do merrem unë me fëmijën’. 

A ka qenë Sara e ‘sulmuar’ nga njerëzit për punën që bën?

Nuk dua të krahasohem por kam zgjedhur të ndajë çdo gjë nga jeta ime sepse marr përdit mesazhe që më thonë faleminderit, inspirohen dhe fakti pastaj që mund të marrin një ndihmë ekstra nga disa informacione të miat. Është njësoj si të flasësh me një shoqe dhe ndihmoni njëra tjetrën. Për çdo gjë që unë bëj kam pasur gjykime, kur kam bërë make up, kur hapa biznesin tim që kam çmime të shtrenjta, kur mbeta shtatzënë që nuk e kisha barkun perfekt. Jam ndikuar kur kam qenë shtatzënë nga këto komente dhe mendoja mos kam ndonjë gjë që nuk shkon me mua sepse je në një fazë delikate të jetës.