Bota Tech

Pas dorëheqjes së Sheryl Sandberg, njihuni me zyrtarin e dytë më lartë të Facebook-ut!

Veterani i platformës META, Javier Olivan do të jetë drejtuesi i dytë më i lartë i Facebook-ut. Javie ka luajtur një rol vendimtar prapa skenave për ngritjen e kompanisë këto 15 vitet e fundit. Spanjolli do të zëvendësojë Sheryl Sandberg, e cila së fundmi bëri me dije se po largohej nga META.

Kjo lëvizje vjen në një kohë që META po raporton probleme me shpenzimet dhe me ngadalësimin e rritjes si kompani. Ajo po kalon nga një kompani e rrjeteve sociale në një kompani e cila po fokusohet në ndërtimin e “Metaverse”. Olivan, i cili u rrit në rajonin e Pirenejve në veri të Spanjës, është diplomuar për Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Navarras dhe ka diplomë magjistrature në administrim biznesi në Universitetin e Stanford.

Para se t’i bashkohej Facebook-ut në fund të vitit 2007 si kryeshef në operacionet e ngrijtes së kompanisë, Olivan kishte punuar në Siemens dhe NTT. Kur ai u bë pjesë e kompanisë, Facebook ishte një kompani e re me vetëm rreth 40 milionë përdorues dhe tani ka afro 3.6 miliardë përdorues në rrjetin Facebook dhe aplikacionet e tjera, duke përfshirë këtu edhe Instagramin.

Rikujtojmë, se Facebook në tremujorin e parë të vitit 2022 ndërmori veprime për 1.8 miliardë përmbajtje spam, nga 1.2 miliardë në tremujorin e katërt të 2021, por edhe në 21.7 milionë përmbajtje dhune, nga 12.4 milionë në tremujorin e katërt të 2021. Kompania e shpjegon këtë në raportin e saj periodik për zbatimin e standardeve të komunitetit, duke specifikuar se rezultati është për shkak të përmirësimit dhe zgjerimit të teknologjisë së sensorit proaktiv.