Aktualitet

Pasojat e tërmetit shkatërrimtar, Shqipëria pranë Turqisë me një ekip prej 38 specialistësh e mjekësh!

Pasi kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria do të dërgojë mision shpëtimi solidariteti drejt Turqisë ku një tërmet i fuqishëm shkaktoi mbi 1 mijë e 500 viktima në këtë shtet e në Siri, Haki Çako jep detaje. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile konfirmon se një ekip prej 38 personash është bërë gati për t’u dërguar me avion të posaçëm. Në përbërje ka edhe mjekë e infermierë, krahas specialistëve të kërkim-shpëtimit.

Nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti shkatërrimtar. Ambasadori i vendit tonë në Turqi, Kastriot Robo tha se operacionet e skuadrave të kërkim-shpëtimit vazhdojnë në terren, por sipas tij, nga komunikimet me Ministrinë e Brendshme turke, deri në këto momente, nuk ka të dhëna se shtetas shqiptarë apo turq me origjinë shqiptare, të rezultojnë të prekur nga tërmeti.

Shqipëria e Kosova janë mes vendeve që ofruan ndihmë për shtetin turk. Kryeministri Rama bëri të ditur dërgimin e një misioni shpëtimi solidariteti. Organizatat humanitare apeluan për asistencë urgjente kryesisht në tenda për strehim, ushqime, ilaçe e të tjera. Në veçanti, thirrja iu drejtohet Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara e komunitetit ndërkombëtar në tërësi. Një tjetër problematikë lidhet me faktin se qindra mijëra refugjatë të zhvendosur nga Siria për shkak të luftës janë vendosur në zonat e Turqisë të goditura nga tërmeti më i fuqishëm i mbi 100 viteve të fundit.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden ka udhëzuar qeverinë federale që të përgatisë ndihmën amerikane. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara të Amerikës aktualisht kanë një gamë të gjerë sanksionesh ekonomike të vendosura ndaj Sirisë dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Në emër të Bashkimit Europian, ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti i shprehu kryediplomati i Unionit, Josep Borrell. Zyrtari i lartë shprehu gatishmërinë e Bllokut me 27 vende anëtare për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë. Greqia u angazhua për të ndihmuar menjëherë zonat e prekura. Kjo u bë e ditur nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.