Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, logon dhe vulën e PD-së e mban Lulzim Basha, ndërsa rrëzohet kërkesa e Berishës për regjistrimin e Selisë Blu me emrin e tij si kryetar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njohu e zyrtarisht do të regjistrojë Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën, se sipas ligjit ende figuron si kryetar i partisë.
Pasi dëgjoi përfaqësuesit e të dy palëve dhe shqyrtoi dokumentacionin, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se KQZ-ja vendos vetëm në bazë të vendimeve të gjykatës e ligjit, jo të perceptimeve personale apo mendimit të anëtarësisë.
Për KQZ-në mjafton të jetë e provuar se kush e ka këtë legjitimitet, kush është personi që përfaqëson PD-në me të tretë dhe kush është organi drejtues i kësaj partie. Pyetja është se kush vendos për këtë gjë, a vendos KQZ se kush është drejtuesi i një partie? Jo nuk është KQZ, por ne na paraqitet dokumentacioni që tregon se kush është përfaqësuesi apo drejtuesi i një partie politike.
Për aq kohë sa KQZ nuk vendos, KQZ duhet ta marrë nga një palë e tretë këtë informacion. Ligji për partitë politike e ka përcaktuar shumë mirë dhe qartë dhe është një dokument që vjen nga gjykata që vendos kush është drejtuesi i një partie. Pastaj, diskutimet rreth kësaj janë të kota, se e përcakton ligji ku dokumentet disponohen nga Gjykata e Shkallës së Parë, ku përcaktohen emri i partisë dhe drejtuesi i saj.
Anëtarësia e partisë politike mund të njohë për drejtues të një partie këdo që çmon, por për ligjin dhe për institucionet si KQZ, ajo që merret në referencë është dokumenti zyrtar. Do të ishte e dëmshme nëse KQZ do merrte këtë vendim, bazuar mbi perceptime apo fakte publike përsa kohë ekziston një dokument zyrtar dhe vërteton një fakt të caktuar.
Unë mund ta pranoj që në perceptimin tim, Sali Berisha është kryetar i PD, por kjo nuk ndryshon ligjin që tregon një fakt të ndryshëm nga ajo që unë apo çdokush tjetër percepton. Për zgjedhjet e 14 majit, bazuar në dokumentet zyrtare që janë vënë në dispozicion të KQZ-së, e ka Lulzim Basha, ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit.
Gjithashtu, Celibashi i dha 48 orë kohë PD-së dhe përfaqësuesit të saj ligjor Sefa që të plotësojë mungesat në dokumentacion, që lidhen me autorizimin nga Lulzim Basha për delegimin e kompetencave. Gazment Bardhi kundërshton vendimin e KQZ-së për plotësim dokumentesh:
PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ-së nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë.