Auto & Moto Tech

Prodhimi i Tesla Cybertruck shtyhet për në vitin…

Prodhimi i Cybertruck të Tesla, kamioni i parë elektrik i prodhuesit të famshëm të automobilave, është shtyrë deri në vitin 2022. Kjo duket se vlen për versionet me një motor të vetëm dhe versionet tre-motorësh të automjetit. Mirëpo, kjo vonesë nuk është një surprizë e madhe për ata që kanë ndjekur nga afër lajmet lidhur me Cybertruck.

Kur CEO i “Tesla”, Elon Musk e zbuloi atë në vitin 2019, plani ishte që Cybertruck-ët e parë të dilnin nga linja e montimit në fund të vitit 2021. Megjithatë, në janar gjatë publikimit të rezultateve financiare të Tesla në tremujorin e katërt, Musk tha se do të kishte “disa dërgesa të Cybertruck drejt fundit të këtij viti, por unë pres që prodhimi në masë të ndodhë në 2022. ”

Ndërkaq, rikujtojmë se presidenti amerikan, Joe Biden dëshiron që gjysma e makinave të shitura në SHBA deri në vitin 2030 të jenë me zero emetime të gazrave. Kjo do të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe do të rrisë konkurrencën përballë Kinës. Trafiku në vitin 2019 përbënte 29% të emetimeve në SHBA, ku shitjet e automjeteve elektrike mbetën prapa Evropës dhe Kinës.

Vitin e kaluar, vetëm rreth dy% e makinave të shitura në SHBA ishin elektrike, krahasuar me rreth 10% në Evropë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Shumica janë makina të Teslas, të cilat raportuan rritje të madhe të fitimit muajin e kaluar.

Rikujtojmë gjithashtu se Amazon.com duket se është shumë pranë nisjes së prodhimit të veturave elektrike të mbështetura nga, Rivian Automotive. Kompania është në bisedime me ministrat britanikë për ndërtimin e një fabrike në Angli, ku kjo e fundit do ta mbështesë me një paketë të madhe financiare.