Design Tech Travel

Projektuesit nuk dinë të ndalen, ju prezantojmë me superjahtin me “sy” gjigant!

Tendencat e fundit në treg, kanë sjellë gjithnjë e më shumë modele të çuditshme superjahtesh, e megjithatë projektuesit nuk duket se kanë ndërmend të ndalen, teksa vazhdojnë të shfrenojnë imagjinatën e tyre. Nga jahtet në formën e një anije kozmike, te jahtet që ngjasojnë me peshkaqenë, apo edhe ato të frymëzuar nga filmat fanstastiko-shkencorë, janë vetëm disa prej tyre që lundrojnë nëpër ujërat ndërkombëtare.

Së fundmi, një koncept i ri vjen nga studioja indiane e dizajnit të jahteve, “Bhushan Powar Design”, që mund të jetë një nga më tërheqësit deri më sot. Jahti 110 metra, i quajtur Zion, është i përbërë nga një kube mahnitëse qelqi që duket si një “sy gjigant”. Kjo strukturë shërben si një platformë shikimi për ata që janë në bordin e superjahtit dhe ofron pamje 360 ​​gradë.

Përveç kupolës, e cila është padyshim veçoria e tij kryesore, Zion do të ketë një pishinë, një ashensor xhami si dhe një pistë ku pasagjerët mund të rrinë dhe të shijojnë pamjet, pavarësisht kushteve të motit. Superjahti është projektuar të ketë 10 dhoma luksoze në bord dhe një suitë luksoze.

Ndonëse është vetëm një koncept aktualisht, themeluesi i studios së dizajnit, Bhushan Powar, shpreson që Zion mund të bëhet realitet një ditë dhe pritet që ai të kushtojë nga 500 deri në 600 milionë dollarë. Megjithatë, projektuesi pranon se do të duhet shumë kohë dhe kërkime për të përcaktuar nëse realizimi i këtij superjahti është i mundur.

Jahtet gjigante prej kohësh janë quajtur “qiellgërvishtës lundrues”, por koncepti i ri novator nga studio “Rodriguez Design” e çon në një tjetër nivel këtë nofkë. I gjatë 110 metra, sjellim në vëmendje se superjahti i quajtur Malena, është projektuar si një banesë shumëkatëshe me apartamente luksi, një superstrukturë me ballkone që shtrihen në të dyja anët e jahtit. I ndërtuar me çelik dhe alumin, mjeti lundrues do të ketë gjithashtu hapësira të mëdha të jashtme për të shijuar natyrën, në mes të detit.