Rajoni

Reciprociteti me Serbinë, sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës!

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës mblidhet sot për të diskutuar procesin e zbatimit të vendimit lidhur me masën e reciprocitetit me Serbinë, mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit e të targave të makinave. Muajin e kaluar, qeveria Kurti vendosi që nga 1 gushti, pra nga nesër, qytetarët me dokumente të identifikimit të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e këtij dokumentit. Një masë e tillë, tashmë zbatohet prej 11 vitesh ndaj qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

Po ashtu, nga nesër e deri më 30 shtator është afati brenda të cilit automjetet me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të zëvendësohen me targa të Kosovës, RKS. Kryeministri Albin Kurti tha se sot Këshilli i Sigurisë do të diskutojë çështjet që mund të shfaqen përgjatë procesit të zbatimit të këtyre vendimeve.

E dimë që ka njerëz jashtë ligjit, ka kriminelë të llojeve e ngjyrave të ndryshme, të cilëve nuk u pëlqen ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e të cilët dëshirojnë të sfidojnë shtetin e Kosovës. Kjo mbledhje është për të diskutuar nëse janë marrë të gjitha masat, që gjithçka të shkojë ashtu siç është menduar e planifikuar.

Beogradi kundërshton reciprocitetin dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës.

Një ditë më parë, në rrjetet sociale, Kurti publikoi edhe një video-mesazh në serbisht. Qytetarëve serbë të Kosovës iu bëri thirrje ta kuptojnë drejt vendimin e qeverisë për masat e reciprocitetit, që siç tha ai, “është vetëm respektim i ligjit, para të cilit të gjithë janë të barabartë”. Ndërkaq, theksoi se “në parim nuk i mbështet zgjidhjet e përkohshme”, por nënvizoi se “këto masa janë të nevojshme për trajtim të barabartë të qytetarëve”.

Siç nuk kemi qenë për ato targat e përkohshme, nuk jemi as për këto lloj dokumentesh të përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur shkon në Serbi, është e nevojshme që të ketë një të tillë edhe kur hyhet në Kosovë.

Këto zhvillime, shefi i ekzekutivit i komentoi gjatë një konference të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, në Aeroportin e Prishtinës, pas kthimit nga vizita e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që të dy drejtuesit e lartë e vlerësuan këtë vizitë si “shumë të rëndësishme për ruajtjen dhe thellimin e partneritetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara”.